Tenderat dhe paketa e re, Preçi: Sa më absolut të jetë pushteti, aq më i lartë është korrupsioni

SPAK ka nisur një fushatë arrestimesh në lidhje me abuzimet e tenderave.

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora News u shpreh se shpenzimi i fondeve publike është ndër aktivitetet më të rëndësishme të çdo institucioni politikë-bërës dhe mbikëqyrës siç janë ministritë.

Preçi: "Zbatimi i ligjit të buxhetit, pra shpenzimi i fondeve publike është ndër aktivitetet më të rëndësishme të çdo institucioni politikë-bërës dhe mbikëqyrës siç janë ministritë. Përgjegjës kryesorë janë ministrat, përgjegjës ekzekutimi në kuptimin procedurial janë sekretarët e përgjithshëm, pastaj drejtoritë vartëse në varësi të fushës që mbulojnë. "

Përsa i pëket vendosjes së masës së sigurisë "arrest shtëpie" për ish-zëvendësministren Rovena Voda, Preçi mendon se nuk është subjekt i SPAK, por  është një çështje me të cilën duhet të merret Prokuroria. Gjithashtu në fjalën e tij, eksperti u shpreh se përpara ligjit duhet të jemi të gjithë të barabartë dhe të fillojë të marrë fund kultura e pandëshkueshmërisë.

Preçi: "Ne duhet të respektojmë drejtësinë dhe duhet të kuptojmë se përpara ligjit duhet të jemi të gjithë të barabartë dhe të fillojë të marrë fund kultura e pandëshkueshmërisë. Vepra për të cilën është bërë publike "arrest shtëpie" për ish-zv. Ministren Voda siç është mitmarria për të ofruar një vend në administratën publike mendoj që nuk është subjekt i SPAK, pavarësisht se ajo është  ish anëtare e një posti të rëndësishëm në qeveri, por në të njëjtën kohë mendoj se duhet të veprojë Prokuroria e zakonshme."

Sipas ekspertit, sa më i madh të jetë pushteti, sa më absolut, aq më i madh është korrupsioni. Vetë SPAK duhet të përqendohet në ato probleme për të cilat është krijuar, dhe ajo është krijuar për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta të qeverisjes dhe krimin e organizuar, sipas Preçit.

Preçi: "Po zhvendoset vëmendja nga problematika kryesore sepse korrupsioni si rregull ndjek fuqinë vendimmarrëse, pushtetin. Sa më i madh pushteti, aq më i madh është korrupsioni. Nëse kemi pushtet absolut, kemi dhe korrupsion absolut. Në këtë këndvështrim është e vërtetë që ka një zhvendosje vëmendjesh për të thënë që ka një shumatore numrash, këtë vit janë arrestuar përshembull 50 veta dhe në fund po të shohësh sa janë arrestuar përfundojnë më procedura burokratike për të mis thënë që ka dhe raste ekstreme kur shteti dëmshpërblen për prishje të qetësisë shpirtërore dhe të tjera si këto. Vetë SPAK duhet të përqendohet në ato probleme për të cilat është krijuar, dhe ajo është krijuar për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta të qeverisjes dhe krimin e organizuar."

Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku