"Erion Veliaj është në rregull për vete", terminali veri-jug pa kushte, pasagjerët: Mungojnë stolat dhe ka aromë të keqe
Përdoruesit e linjave interurbane që udhëtojnë drejt rretheve në terminalin e zonës së veriut dhe jugut përballen me vështirësi të shumta pasi mungojnë vendqëndrimet për pasagjerët.
Një tjetër shqetësim për ta në kushtet kur temperaturat kanë shkuar në vlera ekstremale mbetet dhe mungesa e një tende e cila mund t’i mbrojë sado pak nga rrezet e forta të diellit.
Pasagjerët shprehen se terminali i urbanëve dhe furgonëve në zonën e doganës në Tiranë nuk plotëson as kushtet më minimale.
"S'ka mungojnë stolat, çfarë të bëjmë. Të kishte shumë mirë do ishte, edhe këtu të kishte ca tenda të paktën të rrimë aty në hije."
"Do rrimë në këmbë , s'kemi çfarë të bëjmë."
Ankesat kanë qenë të vazhdueshme por asgjë s’ka ndryshuar. Neglizhencën e bashkisë së Tiranës ndaj shqetësimit të tyre, qytetarët e cilësojnë të papranueshme.
"I drejtohemi atyre që kanë veshë…"
"Erion Veliaj është në rregull për vete, të gjitha të mirat i ka."
Dashnor Memaj ,përfaqësues i transportit urban dhe interurban thotë se operatorët e transportit janë në dijeni të mungesës së kushteve të terminalit, por justifikohen me faktin se kjo është zgjidhje e përkohshme.
"Nga faktorë të ndryshëm natyrorë, siç është nxehtësia e madhe dhe shirat gjatë dimrit, dhe këto0 janë të pa përballushme. Po them edhe bano publike dhe stola ku të qëndrojë mosha e tretë, mos flasim pastaj për personat me aftësi të kufizuar," tha Memaj.
Megjithatë, pas ankesave të vazhdueshme për problemet e vapës në verë dhe të ftohtit në dimër, është premtuar ndërhyrje, por pa afat të përcaktuar.
"Sepse sa më shumë kohë kalon, aq më i vështirë bëhet qëndrimi, si për operatorët ashtu edhe për qytetarët," tha Memaj.
Jashtë kamerave edhe shoferët e linjave urbane shtojnë se terminali përpunon qindra pasagjerë çdo ditë ndërkohë që mungesa e kushteve dhe higjiena e tualeteve janë të dukshme pasi era e rëndë është prezente në gjithë ambientin.


