Photoshop dhe dokumente false për të regjistruar tokën te Plepat, arrestohen ish-juristi dhe biznesmeni


Tjetërsimi i pronave në bregdet ka çuar në pranga juristin i Kadasrës së Tiranës Mikel Zaho. Ai akuzohet se ka kryer praktikën e paligjshme të tjetërsimit me dokumente false të një parcele prej 2 mijë metrash tokë gjatë kohës që punonte në Kadastrën e Durrësit. Përfitues sipas prokurorisë ka qenë biznesmeni Ilias Fisheku, i cili u arrestua bashkë me dy persona të tjerë të implikuar në këtë rast.

Juristi i Kadastrës së Tiranës, Mikel Zaho, është arrestuar me akuzën e tjetërsimit të tokave në bregdet në kohën kur ushtronte detyrën në qytetin e Durrësit.

Prangosja e zyrtarit të Kadastrës është bërë pasi Gjykata e Durrësit ka pranuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së arrestit me dyshimet se Zaho është përfshirë në një rast kriminal të tjetërsimit të pronës publike.

Në operacionin e koduar “Mbikalimi” në pranga kanë rënë gjithashtu edhe biznesmeni Ilias Fisheku dhe shtetasi Erion Aliko ndërsa për Rakip Haxhiun është vendosur masa arrest shtëpie.

Prokuroria e Durrësit theksoi se Erion Aliko dhe Rakip Haxhiu kanë tjetërsuar përmes dokumenteve të falsifikuara një pronë 2000 metra katrorë në Plepa ndërsa përfituesi final ka qenë biznesmeni Ilias Fisheku, i cili ka pretenduar se ka paguar 13.500.000 leke për legalizim, shumë e cila asnjeherë nuk është derdhur për llogari të ALUIZN-it.

Hetimet janë kryer ng Prokurori i Durrësit, Madrid Kullolli, i cili ka kërkuar masat e sigurisë arrest me burg për personat e përfshirë në tjetërsimin e pronës në Plepa, pasi ka arsyetuar se e gjithë praktika ka qenë e jashtëligjshme dhe se nuk ekzistojnë dokumente origjinale për atë parcelë por vetëm fotokopje “fotoshopi” të bërë nga personat në fjalë.

Kadastra e Durrësit ka pasur në vazhdimësi probleme ndërsa në vitin 2019 tjetërsimi i pronave në Gjirin e Lalëzit përmes një grupi të strukturur kriminal vuri në hetim penal 27 persona, 18 prej të cilëve u arrestuan atë kohë, mes tyre edhe juristi Mikel Zaho.