Vendimi që pezulloi nga detyra gjyqtaren Kapedani, KLGJ: Të zbardhet teksti i këngëve me krime dhe mafia
Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkon zbardhjen e plotë të tekstit të këngëve që shoqërojnë videot e nënkryetares së gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, të cilat u bënë publike në rrjetet sociale dy muaj më parë. Në vendimin e zbardhur shpjegohet se një ekspert IT duhet të merret me verifikimin e rastit ndërkohë që kamerat e sigurisë së Gjykatës së Elbasanit nuk kanë ruajtur asnjë pamje të ngjarjes, pasi memorja e tyre mban vetëm për katër ditë, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur më herët.
Kamerat e sigurisë në Gjykatën e Elbasanit kanë memorie të pamjaftueshme për të ruajtur të dhënat, duke i depozituar filmimet vetëm për një kohëzgjatje prej 4 ditësh.
Ky konstatim ka dalë në dritë nga hetimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor ndaj magjistrates Enkeleda Kapedani, njëherësh nënkryetare e gjykatës së Elbasanit, e cila u pezullua nga detyra pas publikimit të videove të saj në Tik Tok.
Në këto pamje gjyqtarja shfaqej me veshje e veprime provokuese në ambientet e zyrës dhe në makinë, ndërsa në sfond kishte këngë me tekste që KLGJ i konsideron të padenja.
Për verifikimin e rastit, KLGj ka kqyrur kamerat e gjykatës së Elbasanit me qëllim për të verifikuar kohën kur janë bërë videot.
Në vendimin e zbardhur të KLGj-së të datës 7 qershor 2021, thuhet se gjatë hetimit disiplinor janë administruar 8 DVD me pamje të kamerave të sigurisë së Gjykatës së Elbasanit, nga ku nuk kanë rezultuar të dhëna të vlefshme për objektin e hetimit disiplinor, pasi memorja e tyre është vetëm 4/ditë, ndërsa videot janë publikuar në datat 14, 15 dhe 20 maj.
Nisur nga ky fakt, KLDH shprehet se për verifikimin e këtij fakti është i nevojshëm marrja e mendimit të një eksperti në fushën e teknologjisë së informacionit.
Sipas KLGj-së, eksperti do të duhet të verifikojë dhe të sjellë të dhëna për kohën dhe mënyrën e realizimit të videove nga magjistratja, aplikacionin e përdorur nga ajo, si dhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre, ku janë publikuar ato fillimisht dhe nga kush.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se për të arritur në një konkluzion të drejtë dhe të rregullt mbi procedimin disiplinor të filluar ndaj magjistrates, është i nevojshëm dokumentimi i tekstit të këngëve që shoqërojnë në sfond muzikor videot me imazhin personal të magjistrates, që nga ILD janë vlerësuar me natyrë jo të hijshme dhe të përshtatshme për imazhin e një magjistrati.
Në vendimin e pezullimit nga detyra citohet edhe dëshmia dhe shpjegimet e dhëna nga gjyqtarja, e cila ka theksuar se videot i ka bërë jashtë orarit zyrtar me celularin e saj.
Enkeleda Kapedani është shprehur se ajo nuk ka llogari në Tik Tok, por djali i saj ka pasur dhe nuk e përjashton mundësinë që publikimi i materialeve të ketë ndodhur pa dashje ose gabimisht për tu shpërndarë më pas në media.
Gjyqtarja ka thënë se e ka dërguar dy herë celularin në servis, por nuk di të thotë nëse videot janë kopjuar në këto raste.

