Droga në Durrës, dy javë më parë Barjon Gumeni u pyet ne polici për një kontejner që besohej se kishte kokainë
Dy javë më parë policia dhe prokuroria e Durrësit, kanë shoqëruar duke marrë në pyetje për disa orë me radhë Barjon Gumenin, njërin nga administratorët e kompanisë, “Alba Exotic Fruit”.
Shoqërimi për disa orë i Gumenit, ka bërë që ai të merret në pyetje hollësisht. Ndërsa gjatë kontrollit të kontejnerit është konstatuar se nuk ka pasur lëndë narkotike dhe për pasojë, policia ka lejuar procedurën për marrjen në dorëzim të kontejnerit të ngarkuar me banane.
Njëherësh policia e Durrësit, ka liruar dhe Barjon Gumenin. Por dy javë pas këtyre dyshimeve të forta se në kontejnerët e kompanisë “Alba Exotic Fruit” kishte prezencë të drogës, policia e Durrësit bllokon sërish për një kontroll të detajuar një kontejner tjetër që vinte nga Pirreu i Greqisë.
Gjatë kontrollit të kontejnerit të dytë, policia sekuestroi 14 pako me peshë 11 kg kokainë e futur në pjesën e jashtme të kontejnerit, pikërisht në zonën e kondicionerëve. Gjatë kontrollit në pjesën e brendshme nuk u siguria asnjë gramë kokainë.
Ndërsa menjëherë është arrestuar njëri nga administratorët e kompanisë, Barjon Gumeni, ndërsa administrator tjetër, Eduard Dauti, vijon të jetë i shpallur në kërkim, megjithëse biznesmeni deklaroi për “Ora News” se ndodhet në Francë, pasi po festonte ditëlindjen e vajzës.
Për shkak të riskut të kapjes së kokainës në ambientet e jashtme të kontejnerëve, ku ishin futur bananet e kësaj kompanie, pronari i “Alba Exotic Fruit”, Eduart Dauti, në datën 28 prill 2021, i është drejtuar me një letër zyrtare të gjithë autoriteteve ligj-zbatuese dhe hetimit në Shqipëri, me qëllimin e vetëm që të marrin masa për parandalimin e trafikut të kokainës, që kryhet nëpërmjet kontejnerëve të tyre.
Sipas kësaj letre, anëtarë të grupeve kriminale në Shqipëri dhe jashtë saj, shfrytëzojnë pikërisht kontejnerët e ngarkuar me fruta ekzotike, duke vendosur në pjesën e jashtme sasi të konsiderueshme kokaine.
Kjo veprimtari, thuhet në letër po dëmton rëndë interesat ekonomike dhe imazhin e kompanisë, për shkak se firma nuk është monitoruese e të gjithë procesit të transportimit të kontejnerit. Për më tepër thuhet në letër “…kontejnerët me anë të së cilëve bëhet transportimi i mallit nuk janë pronë e shoqërisë “Alba Exotic Fruit" shpk por e shoqërive transportuese apo e eksportuesit të mallit nga vendi i origjinës.
Pra shoqëria e ka absolutisht dhe objektivisht të pamundur të jetë në dijeni të ndërhyrjeve, që mund të bëhen në kontejner përpara se të bëhet marrja në dorëzim e mallit në Portin e Durrësit dhe për pasojë nuk mund të jetë përgjegjëse për veprimet e paligjshme të kryera nga të tretë…”.
Më tej në letër, kompania “Alba Exotic Fruit" thotë se nisur nga sa më sipër, me anë të kësaj shkresë kërkojmë nga autoritetet shtetërore kompetente, rritjen e sigurisë në të gjitha strukturat kontrolluese në portin e Durrësit, në mënyrë që në të ardhmen të mos penalizohet biznesi dhe tregtarët e ndershëm nga veprimtaria kriminale e subjekte të posaçëm të krimit të organizuar.
