Mediat: Thaçi kërkon “arrest shtëpie” në Slloveni

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ka kërkuar nga Gjykata Speciale që të qëndrojë në “arrest shtëpie” në Slloveni.

“Ky informacion na është konfirmuar nga disa burime brenda Sllovenisë dhe jashtë saj po ashtu”, shkruajnë Primosh Cirman dhe Tomas Modic, dy gazetarët që kanë publikuar artikullin në median investigative Necenzurirano.

Mediat sllovene shkruajnw se sipas legjislacionit, Thaçi mund të kërkonte mundësinë e ekstradimit të tij në një vend që nuk kufizohet nga Kosova dhe megjithëse dokumentet e gjykatës nuk tregojnë se cili është vendi i kërkuar nga ai, mediat shkruajnë se kanë informacione që përzgjedhja e parë e ish-themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është Sllovenia.

Mediat: Thaçi kërkon “arrest shtëpie” në

 

Një përgjigje zyrtare lidhur me kërkesën dhe aprovimin ose jo të saj nuk është dhënë as nga Gjykata e Hagës, as nga Ministria e Jashtme e Sllovenisë dhe as nga avokati i Thaçit, Gregory Kehoe.

Madje, në artikull thuhet se Thaçi ka kontaktuar edhe me njerëz brenda qeverisë sllovene për të parë mundësinë e dërgimit të tij në Slloveni dhe për t’u siguruar se qeveria sllovene do të bëhet garant, duke siguruar gjykatën se “Thaçi nuk do ta lërë territorin slloven gjatë kohës sa gjykohet”.

Gjykata gjithashtu nuk është përgjigjur në pyetjen se nëse qeveria sllovene e ka ofruar tashmë garancinë. Gazetës nuk i është përgjigjur as ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Anze Logar.

Dokumentet publike të gjykatës tregojnë se gjykata në Hage ia kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje nga arresti shtëpiak Thaçit. Kjo kishte ndodhur në janar të këtij viti, meqë ishte arsyetuar se Thaçi mund ta shfrytëzojë rastin për të ikur, dhe gjithashtu gjykata kishte pasur frikë se Thaçi mund të ndikojë te dëshmitarët. Sipas gjyqtarëve, Thaçi mund ta ushtrojë këtë ndikim edhe po që se mbahet në një shtet të tretë.

Media sllovene, në një pjesë të tekstit shkruan edhe për afërsinë që Thaçi ka pasur gjithmonë me autoritet sllovene dhe me kryeministrin aktual slloven Janez Jansha. Ceket gjithashtu edhe vizita private që Janez Jansha i kishte bërë Thaçit në vitin 2011, kur ish-kryeministri i Kosovës, ishte ende në opozitë.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit janë ngritur akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.