EULEX-i synonte "peshqit e mëdhenj", ish-kryegjyqtari: Shumë dokumente të krimeve të luftës ju dhanë prokurorëve serbë

Malkolm Sajmons i cili deri katër vite më parë ishte kryegjyqtar i EULEX-it në Kosovë, akuzon misionin e BE-së për sundimin e ligjit se drejtohet politikisht dhe se viktimat e tij më herët është kërkuar që të jenë politikanët kosovarë. Në disa rate, EULEX-it mësohet edhe se ka ndihmuar prokurorët serbë për krimet e luftës.

Një nga ish-drejtuesit e EULEX-it pretendon se qëllimi i misionit në Kosovë ka qenë për një kohë të gjatë largimi nga skena politike i "peshqve të mëdhenj" dhe ish-krerët e UÇK-së.

Malkolm Sajmons dëshmoi të hënën para Komisionit për Legjislacion për akuzat se EULEX-i si një mision i BE-së që nga 2008-ta, ishte më shumë organ politik që ndikohej e vuante gjerësisht prej korrupsionit.

Ai u largua nga posti i kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it në vitin 2017.

"Pasi u emërova në këtë post, m'u bë shumë i qartë qëllimi i misionit, që ishte largimi nga jeta politike i personave të përshkruar si ‘peshq të mëdhenj’. Ata që u panë si pengues të procesit të dialogut duhej po ashtu të largoheshin nga postet udhëheqëse."

Ish-kryegjykatësi u tha deputetëve kosovarë se ata duhej të luanin rol në suksesin e misionit, dhe suksesi do të matej me numrin e dënimeve.

Sajmons shtoi se misioni EULEX ka furnizuar me dokumente edhe Serbinë për krimet e luftës, ndërsa kritikoi mandatin e Gjykatës Speciale.

"Shumë dokumente të krimeve të luftës u janë dhënë prokurorëve serbë. Ato përfshinin informata, por edhe të dhëna personale dhe detaje të dëshmitarëve me prejardhje shqiptare për krime të kryera në Kosovë nga serbët. Autoritetet serbe në 10 vite kanë dënuar vetëm një person kur misioni ka kushtuar miliona euro. BE-ja tregoi mungesë vullneti pë të dënuar krimet e luftës të kryera nga serbët."

EULEX-i thotë se ish-gjyqtari Sajmons ka qenë vetë subjekt hetimesh për akuza serioze shpërdorimi të detyrës gjatë mandatit të tij.

Juristët në Kosovë thonë se raportimi para komisionit parlamentar nuk ka ndonjë efekt juridik pasi zyrtarët e EULEX-it gëzojnë imunitet dhe nuk mund të ndiqen nga institucionet kosovare.