Çështja e detit me Shqipërinë, Dendias: Greqia po zgjerohet bazuar në të drejtën ndërkombëtare
Dakordësia për çështjen e caktimit të kufijve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, shihet në favor të shtetit grek.
Këtë e bën të ditur ministri i Punëve të Jashtme të fqinjit tonë jugor Nikos Dendias, i cili ka bërë së fundmi një bilanc të punës së tij në krye të diplomacisë gjatë dy viteve nga marrja e detyrës.
“Ne po forcojmë pozicionin e Greqisë në skenën ndërkombëtare”, thuhet në raportin përmbledhës.
Më pas, në të paraqitet një fragment nga fjalimi i kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në Parlament, i cili shprehej: “Greqia po zgjerohet duke u bazuar në të Drejtën Ndërkombëtare dhe Ligjin për Detin“.
“Kreu i ekzekutivit grek në deklaratën e tij të gushtit të vitit të kaluar i referohej marrëveshjes së pjesshme të demarkacionit për detin me Egjiptin, me Italinë dhe marrëveshjes me Shqipërinë, për të cilën dy vendet ranë dakord për ta çuar në Gjykatën e Hagës”, - shkruajnë mediat greke.
Po ashtu, video-mesazhi nga Dendias vijon me një mesazh edhe për Ankaranë: “Ne iu përgjigjëm me vendosmëri çdo sfide”, shprehet ai, me sfond konfliktin me Turqinë.
