26 vite pas masakrës së Srebrenicës, 19 viktima do të varrosen në qendrën përkujtimore

26 vite pas masakrës së Srebrenicës eshtrat e 19 viktimave do të varrosen në qendrën përkujtimore në Potoçari.

Mediat në Bosnje shkruajnë se Viktima më e re që varroset është Azmir Osmanoviq, i cili ishte vetëm 16 vjeç kur u vra prej trupave serbe. Eshtrat e tij u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan në maj të këtij viti.

Ndërkaq Viktima më e vjetër që varroset është Husein Kurbashiq – i cili ishte 63 vjeç në kohën kur u vra.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth. Edhe pse po kalojnë tre dekada kërkimet për gjetjen dhe identifikimin vazhdojnë ende. Deri më tani në varret masive janë gjetur 6,650 viktima - në mesin e tyre mbi 430 të mitur të cilët prehen në qendrën përkujtimore

Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë, me të cilën kërkoi falje për masakrën e Srebrenicës. Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë, u tha në tekst.

Në Parlamentin e Serbisë janë edhe dy rezoluta të tjera - në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse në tjetrën si gjenocid - por diskutimi për to nuk është futur ende në rend të ditës.

Këtë javë, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, me të cilën e dënoi gjenocidin në Srebrenicë.

Një rezolutë e ngjashme u miratua edhe në Kuvendin e Malit të Zi më 17 qershor dhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në vitin 2010.

Shqipëria, deri më tani, nuk ka miratuar ndonjë dokument të ngjashëm por kryeministri Edi Rama ka përkujtuar masakrën përmes një postimi në Facebook duke e cilësuar gjenocid.

Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në të gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të veprojnë ngjashëm.