Librat e dyshimtë fetarë, Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar për kopje të paautorizuara të Kuranit

Në Kosovë po shpërndahen libra fetarë me përmbajtje të cilat teologët dhe ekspertët lokalë të sigurisë druhen se mund të nxitin urrejtjen dhe të rrezikojnë sigurinë kombëtare.

Pak ditë më parë ishte Bashkësia Islame e Kosovës që njoftoi me shqetësim për qarkullimin në treg të kopjeve të paautorizuara të Kuranit, librit të shenjtë të myslimanëve.

Ndërsa kontrolli i këtyre librave shihet si përgjegjësi e bashkësive fetare, më shumë sesa e shtetit, eksperti Kadri Kastrati thotë për "KosovaPress" se situata vijon që prej pasluftës.

“Dy sekte që janë me ndikim të madh, janë ato që vijnë nga Arabia Saudite dhe që promovojnë një gjuhë të urrejtjes dhe një gjuhë që nuk është e mirë edhe nuk është e vendit për kulturën tonë këtu sepse e nxisin urrejtjen ndërfetare dhe kjo në një mënyrë apo tjetër e rrezikon sigurinë kombëtare. Dhe është një sekt, apo një grup njerëzish, që vijnë nga këto shtete, mbi 400 vende në librat e tyre përmendet ‘Pendohu ose do të vritesh’,” tha Kastrati.

Shumë sekte që paraqiten në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, edhe fondacione të ndryshme, akuzohen se ngjallin urrejtje fetare dhe etnike dhe se dikur ndihmuan shumë qytetarë t’u bashkohen luftërave në Siri e Irak.

Nuredin Ibishi kujton se Kosova është shteti laik.

“Duke pasur parasysh që ne jemi një shtet laik edhe liritë fetare janë të garantuara edhe me kushtetutë, edhe me Ligjin për Liritë Fetare, me ligj sanksionohet kur ka të bëjë me parandalimin e nxitjes e dhunës që ka elemente të vërejtjes etnike, fetare, racore edhe kombëtare. Në vetëm ato raste mund të flitet për një parandalim edhe të lirisë së shprehjes por edhe të botimit dhe publikimit të librave," tha Ibishi.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala, kërkon që rastet të ndiqen me kujdes dhe kontrollet të mos kenë për qëllim censurën, si në vendet diktatoriale.

Librat që janë legalë, që janë në shitje dhe që BIK ka autorizim është krejt në rregull. Por, që ajo që shpërndahet ilegalisht, ajo duhet të kontrollohet. Sepse, përderisa nuk dëshiron t’iu nënshtrohesh opinionit, atëherë ajo shpërndahet ilegalisht. Një libër ilegal, në qoftë se BIK e bën shpërndarjen e librit, e merr përgjegjësinë. Ndërkaq, në qoftë se diçka shitet në mënyrë ilegale atëherë është një situatë tjetër. Çdo gjë që është ilegale është në kundërshtim me ligjin," tha Shala.

Kushtetuta e Kosovës parasheh të drejtat fetare dhe mbrojtjen e të gjithë qytetarëve, dhe po ashtu që bashkësitë fetare të themelojnë shkolla dhe institucione bamirësie “në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare".