Maqedonia e Veriut dhe Greqia arrijnë marrëveshje për gazsjellësin
Një gazsjellës i ri pritet të lidhë Greqinë me Maqedoninë e Veriut, dhe më tej t'u vijë në shërbim me gaz natyror vendeve si Kosova dhe Serbia. Projekti pritet të nisë zbatimin në fillim të vitit 2022 pas vendimit final për investimin.
Greqia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan të premten marrëveshjen për ndërtimin e një gazsjellësi që do i shërbejë gjithë rajonit.
Pakti për ndërtimin e një tubacioni 54 kilometra të gjatë u firmos në Athinë nga ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë, Kostas Skrekas, dhe ministri maqedonas i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
"Marrëveshja është e rëndësishme për ekonomitë tona në tërësi dhe për konkurrencën. Gazi natyror do të shpërndahet edhe në tregjet e Kosovës dhe Serbisë,” deklaroi ministri Bekteshi.
Greqia pret të hapen rreth 1 mijë vende pune gjatë zbatimit të projektit dhe unifikim të sistemit të shpërndarjes së gazit natyror mes vendeve.
54 nga 110 milionë euro në total për gazsjellësin do të mundësohen nga pala maqedonase, e cila do e pëfitojë gazin nëpërmjet infrastrukturës që tani operohet në anën helene.
Ndërsa memorandumi për bashkëpunimin rreth gazsjellësit është përkrahur që në vitin 2016, Greqia dhe Maqedonia e Veriut e kanë rritur partneritetin në sfera të ndryshme pasi në vitin 2018 të dyja i dhanë fund debatit mbi emrin e Maqedonisë.
