Shpërthimi i bombolës në Velipojë, Manastirliu viziton nënën dhe 3 fëmijët: Situata mbetet kritike
Kritike mbetet gjendja shëndetësore e gruas 40-vjeçare dhe tre fëmijëve të cilët u dogjën nga shpërthimi i bombolës së gazit në hotelin në Velipojë, mëngjesin e sotëm.
Nëna dhe tre fëmijët sipas burimeve kanë djegie në rreth 90 % të trupit ndaj janë sjellë për trajtim të specializuar në Tiranë.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu i ka vizituar ata këtë pasdite, në repartin e djegie-plastikës në QSUT.
Manastirliu shprehet se mjekët dhe infermierët po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për ta duke i trajtuar me terapinë e plotë të mjekimit.
“Mjekët dhe infermierët në reanimacionin e repartit të Djegie-Plastikës në QSUT, po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për familjen e lënduar në ngjarjen e rëndë në Velipojë. Stafi ynë po bën më të mirën, duke e trajtuar nënën dhe fëmijët me terapinë e plotë të mjekimit, por situata mbetet tejet kritike”, shkruan ministrja në profilin e saj në Facebook.