Masakra me 4 viktima në Velipojë, fajtor shteti, rrezikohen të tjera përplasje
I ftuar në edicionin e RTV Ora, gazetari i Ora News, Bepin Kolvataj, ka dhënë detaje në lidhje me tragjedinë e mbrëmjes së djeshme, ku nga përplasja me armë zjarri në Velipojë, humbën jetën 4 persona dhe u plagosën 2 të tjerë.
Kolvataj shprehet se nëse hapësirat e përcaktuara për shezlonge do të ishin ndarë në bazë të përcaktimeve ligjore, nuk do të ndodhte një masakër e tillë.
Ai thotë se në plazhin e Velipojë ende nuk është mbyllur procesi i ndarjes së hapësirave që operatorët turistikë duhet të kenë në shfrytëzim përgjatë këtyre muajve turistikë.
"Kjo masakër e ndodhur gjatë mbrëmjes së kaluar protagonist kishte përplasjen e dy familjeve, por ndoshta fajtori që duhet gjetur në këtë mes është shteti. Sepse pot ë ishin ndarë në kohë dhe në bazë të përcaktimeve ligjore, hapësirat e përcaktuara për shezlonge, natyrisht nuk do kishim pasur nevojë të kishim skema të tilla. Në plazhin e Velipojës ende nuk është mbyllur procesi i ndarjes së hapësirave që operatorët turistikë duhet të kenë në shfrytëzim përgjatë këtyre muajve për sa i përket çadrave dhe shezlonge.
Edhe pse këto të fundit kanë aplikuar në portalin e-albania për të përfituar këto hapësira ende nuk është dhënë përgjigja. Vetëm një kontratë është lidhur në të gjithë plazhin e Velipojës, në 14 km e kësaj vije bregdetare në Veri. 10 biznese të tjera janë paraqitur në Bashkinë e Shkodrës për të paguar detyrimet që parashikon ligjet, por ende nuk është bërë ndarja përfundimtare. Natyrisht ka ngërç.
Pjesa më e madhe e operatorëve të gjendur përballë hapjes që Shqipëria pati këtë vit ndryshe nga viti i kaluar, bëri që këto të fundit t’i vendosnin shezlonge në bazë të lejeve të vjetra që kishin pasur më parë, duke ditur hapësirat që kishin shfrytëzuar dhe në këtë pikë ndodhi përplasja, duke qenë se ndarja në e-albania është bërë ndryshe.
Gazetari shprehet se përplasje të tilla mund të kemi edhe në ditët dhe javët në vazhdim, nëse nuk bëhet ndarja e hapësirës. Sipas tij, në Velipojë ka prezente konflikte për sa i përket shfrytëzimit të hapësirave
"Ka dyshime të forta se edhe në vazhdimësi mund të kemi përplasje të forta mes subjekteve. Përplasja me 4 viktima dhe dy të plagosur nuk është një rast sporadik, natyrisht kulmoi me një tragjedi të tillë, madje ka pasur edhe më herët përplasje të tilla.
Rrezikojmë të kemi dhe të tjera përplasje edhe në ditët apo javët e ardhshme, pasi konflikte të tilla janë prezente në vazhdimësi, sa i përket shfrytëzimit të hapësirave. Ende shteti shqiptar përtej reformave të ndërmarra , përtej deklarimeve nuk po arrijnë të konludojnë në një pikë të përbashkët për të pasur përfundimisht një menaxhim ndryshe të territorit."
Intervistoi Xhoi Malësia, përgatiti për online Anila Kolgjini.

