EURO 2020, në kërkim të çerekfinales, sot Holanda dhe superdueli Belgjikë-Portugali
Sot do të mësojmë dy skuadra të tjera çerekfinale të Kampionatit Europian që do të plotësojnë çiftet e para të këtij raundi.
Teksa dje kishte spektakël me Danimarkën dhe emocione të pafundme me Italinë, sot nuk do të mungojnë asnjëra pasi në fushë do të kemi Holandë-Çeki dhe Belgjikë-Portugali.
Fillimisht do të jetë radha e tulipanëve të cilët do të zbresin në fushë në "Puskas Arena" në Budapest për të tentuar kualifikimin ndaj Republikës Çeke.
Skuadra e De Boer vjen nga tre fitore në Grup dhe nga paraqitje shumë të mira dhe është natyrisht ekipi favorit për të avancuar më tej por çekët janë një kockë e fortë.
Patrick Schick do të jetë rreziki kryesor për Holandën të cilët do të përgjigjen me Depay e Wijnaldum, në një sfidë që parashikohet të jetë tepër e luftuar.
Fituesi i këtij dueli do të ketë përballë në çerekfinale Danimarkën që shkëlqeu një ditë më parë.
Në mbrëmje do të jetë dhe qershia mbi tortë, superdueli Belgjikë-Portugali, Lukaku kundër Ronaldos, De Bruyne kundër Bruno Fernandes, sa shumë duele.
Në "La Cartuja", të Sevillas do të përballen dy skuadra që janë mes pretendentëve për të fituar Europianin por fatkeqësisht vetëm njëra prej tyre do të avancojë.
Belgjika vjen pas një kualifikimi komod në grup e nga ana tjetër Portugalia u kualifikua në një grup ferri dhe dëshiron ende të ruaje kurorën e kampionëve në fuqi.
Ekipi që do të dalë fitues nga ky duel nuk do ta ketë aspak të lehtë pasi do ta presë Italia në çerekinalen e EURO 2020.
