Zjarret në pyje, ngihen 4 pika vrojtimi në Lezhë, ndëshkim për krimet mjedisore
Rritja e temperaturave në vendin tonë shton edhe rrezikun e shfaqjes së zjarreve, kryesisht në pyje.
Në Lezhë autoritetet tanimë kanë hartuar një plan masash ku sektorët përgjegjës kanë kaluar në gadishmëri.
4 pika vrojtimi janë ngritur pranë zonave që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë, në mënyrë që ndërhyrja të jetë sa më e shpejtë.
Artan Palushi: Në planin e masave janë përcaktuar të gjitha ndërhyrjet e mundshme që lidhen me parandalimin dhe shuarjen e zjarreve, pjesëmarrja e komunitetit përmes skuadrave vullnetare. U janë përcaktuar qartë secilit sektor dhe njësi administrative kompetencat dhe detyrat.
Autoritetet do të monitorojnë me kujdes edhe zjarrvëniet e qëllimshme, ndërsa paralajmërojnë masa për ata që do të kryejnë krime mjedisore.
Artan Palushi: Kemi krijuar një bashkëpunim shumë të ngushtë me strukturat e policisë së shtetit dhe hetimit, të cilët po punojnë dhe afërsisht kanë identifikuar persona të mundshëm që janë njerëz tipikë që merren me këto lloj problematikash.
Referuar të dhënave, vitin e kaluar janë dëmtuar nga zjarret rreth 50 hektare pyje në territorin e Bashkisë Lezhë.

