Locatelli ylli i Europianit, Juventusi bën ofertë për mesfushorin
Që pasi Allegri mori drejtimin e Juventusit, trajneri u ka kërkuar drejtuesve një mesfushor të ri pasi Ramsey, Rabiot nuk bindin dhe as Arthur. Në dëshirat e bardhezinjve ishte prej kohësh Manuel Locatelli, mesfushori i Sassuolos, që para se lojtari të niste aventurën në Kampionatin Europian dhe shkëlqimi i tij i ka ndërlikuar punët.
Me paraqitjet që po bën, Locatelli mund të rrisë ende më shumë vlerën prej 40 mln Euro që kërkon Sassuolo ndërkohë që drejtuesit bardhezinj duan ta ulin këtë shumë cash duke përfshirë disa lojtarë në operacion.
Javën tjetër, bisedimet do të intensifikohen për të kuptuar edhe atë që kërkon Sassuolo pasi Agnelli e ka shumë të vështirë të paguajë 40 mln Euro cash në këto momente.
Ideja e Juventusit është të përfshijë mbrojtësin e ri Dragusin që vlerësohet afro 20 mln Euro ndërsa përflitet edhe për disa të rinj nga ekipi U23 si De Graca, Felix Correa dhe Rafia.
Vetë mesfushori Italian ka vendosur që Juventusi është skuadra që ai kërkon dhe ku mund të konfirmohet në një ekip të madh kur kujtojmë se lojtari ka luajtur edhe me Milanin të cilët vendosën ta shisnin për 14 mln Euro.
