Turizëm në lashtësi, investime në zonën e varreve ilire të Selcës për të thithur më shumë vizitorë
Megjithëse Pogradeci është një nga vendet që tërheq vizitorë, ende në të ndihet nevoja e investimeve, mirëmbajtjes dhe promovimit.
Varret ilire të Selcës, në Mokër të Pogradecit janë tashmë një nga pikësynimet e Ministrisë së Turizmit dhe pushtetit lokal për të tërhequr turistë.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, prej andej tha se kjo është një vlerë e historisë së lashtë të popullit tonë, ndaj promovimi i tyre do të sillte më shumë turistë gjatë 12 muajve të vitit.
"Ndërtimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë do ta bëjë shumë më të lehtë të aksesueshme, do të ketë shumë më tepër turistë."
Ilir Xhakolli, kryebashkiaku i Pogradecit, thotë se varret e Selcës i vizitojnë 7 deri 8 mijë turistë në vit.
Megjithatë ka ende nevojë për ta bërë më tërheqëse, duke organizuar aktivitete të ndryshme.
"Vijnë 6-7 mijë turistë në vit, do të fokusohemi shumë te kjo zonë."
Deputetja e zonës, Blerina Gjylameti, kërkon që kjo pikë turistike të ketë edhe vëmendjen e turistëve të huaj.
Pogradeci, thotë ajo, është një zonë që ofron turizëm për të gjithë, historik apo edhe kulturor.
Varret e Selcës i përkasin periudhës ilire të shekullit 4-3, ato janë varre mbretërore dhe i përkasin princërve dhe princeshave të qytetit të lashtë Pelion.
Janë gjithësej 5 varre, 4 prej të cilëve brenda një shkëmbi dhe tjetri në një fushë pranë tyre.

