Në klasë të parë me e-Albania, ja si kryhet regjistrimi në portal, jo të gjitha shkollat e përfshira

Prindërit këtë vit do të mund të regjistrojnë fëmijët në klasë të parë përmes portalit e-Albania.  Në këtë platformë përfshihen 182 shkolla në vend, ndërsa për të tjerat prindërit duhet të kryejnë të gjitha procedurat pranë Drejtorisë së shkollës. Përmes kësaj mënyre,  është e pamundur që të përzgjidhet një shkollë preferenciale, por vetëm ajo që është pranë vendbanimit të fëmijës.

Në 182 shkolla të vendit regjistrimi i fëmijëve në klasë të parë do të bëhet përmes portalit e-Albania.

Ky projekt aplikohet për herë të parë, por jo të gjitha shkollat janë të përfshira në të.

Nevila Rrepishti nga e-Albania sqaron se ato institucione arsimore, të cilat nuk janë të përfshira në regjistrimin elektronik, regjistrimi do të funksionojnë sipas mënyrës së vjetër.

"Në shkollat që nuk janë të përfshira në kërtë proces online me vendim MAS regjistrimi në klasë të parë do të jetë si vitet e kaluara, pranë sekretarive të institucioneve arsimore."

Regjistrimi në klasë të parë përmes portalit qeveritar shmang edhe zgjedhjet preferenciale të shkollës.

"Për çdo aplikim dhe regjistrim në klasë të parë, institucioni arsimor sugjerohet automatikisht nga ndërlidhja me vendbanimin e aplikantit. Është e pamundur që prindërit të kërkojnë të regjistrojnë fëmijën në një shkollë preferenciale."

Me këtë mënyrë regjistrimi prindi nuk ka nevojë për asnjë dokument, pasi ato ndodhen të gjitha në portal.

Mjafton që të identifikohet dhe të zgjedhë njësinë administrative dhe rrugën ku banon.

"Vetëm në rastet kur regjistrimi kryhet nga kujdestari ligjor, i vetmi dokument që duhet ngarkuar në aplikim është ai që provon këtë lloj përkatësie."

Pas aplikimit, prindi pajiset më një kod përmes së cilit mund të kontrollojë në cdo moment se në Çfazë është shqyrtimi i kërkesës së tyre.

Dhe vetëm 10 ditë para fillimit të shkollës në Drejtorinë e shkollës duhet të depozitohet certifikata e vaksinimit të fëmijës.

"Jo më pak se 10 ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, prindi në rastet e pranimit në sekretarinë e institucionit arsimor përkatës, prindi duhet të depozitojë kartelën e vaksinimit të fëmijës."

Në vetëm 3 ditë janë kryer rreth 2000 aplikime, ndërkohë që ende nuk është e qartë se për sa kohë do të jetë i hapur ky shërbim.