Në kërkim të autorëve të plagosjes së biznesmenit të lokaleve të natës, policia kontrolle në Sarandë
Policia e Sarandës ka zbarkuar këtë të dielë në qytet pas sulmit me armë që iu bë biznesmenit të lokaleve të natës, Spiro Iljadhit 35 vjeç.
Nga breshëria e plumbave të lëshuara nga Andrea Caushi vëllai i tij Vis Caushi por edhe nga shoku i tyre Redjan Hadëri, mbeti i plagosur edhe një turist, kalimtar i rastit, i identifikuar si Mario Jani, 33 vjeç, i cili mësohet se ndodhej në qytetin bregdetar për pushime.
Aksioni i policisë është ndërmarrë me qëllim kapjen e 3 personave, të cilët tashmë akuzohen drejtpërdrejtë me ngjarjen.
Biznesmeni 35 vjeçar u sulmua rreth orës 03:50 të mëngjesit të sotëm në lagjen 1 qytetit bregdetar në afërsi të një lokali.
Rreth 20 plumba u qëlluan ndaj tij duke e lënë të plagosur rëndë.
Spiro Iljadhi sipas të dhënave ka marrë disa plumba në pjesën e barkut dhe pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës është sjellë në kryeqytet për mjekim të specializuar.
Burimet thonë se ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale.
Ndërsa turisti shqiptaro-amerikan që u gjend në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar pas ndihmës së parë raportohet se nuk ka asnjë rrezik për jetën.
Spiro Iljadhi, njihet si pronar i një prej lokaleve të jetës së natës më të frekuentuara në Sarandë.

