Shembjet në Kombinat, avokati: Ekspertizat e Bashkisë për dëmet të fryra, nuk justifikojnë prishjen

Dorian Matlija, avokati i disa prej banorëve, ndërtesat e të cilëve janë klasifikuar për tu shembur, i konsideron disa nga ekspertizat e Bashkisë për dëmet si të fryra pasi dëmet janë të një niveli që kurrsesi nuk justifikojnë prishjen e tyre. Ai u shpreh se ka patur mjaft raste ku banorët kanë fituar gjyqet kundrejt Bashkisë. Ndërkohë tipologjinë e prishjes së ndërtesave në Kombinat, avokati e krahason me atë të prishjes së Teatrit pasi e nuk i jep kohe askujt për ndërmarrjen e veprimeve juridike.

Shqetësimet e shumta në lidhje me dëmet e tërmetit të 26 nëntorit dhe vendimi i Bashkisë për shembjen e objekteve i kanë detyruar shumë prej banorëve të zonës së Kombinatit t’i drejtohen zyrave të avokatisë për zgjidhjen e problemeve të tyre në rrugë ligjore.

Dorian Matlija, avokati i disa prej banorëve, thotë se ekspertizat e Bashkisë për dëmet janë të fryra dhe nuk justifikojnë prishjen e tyre.

"Pallatet nuk kanë aq dëmtime sa është thënë nga Bashkia. Në këto raste, duke qenë se dëmi që u është shkaktuar këtyre bizneseve vjen nga një vendimmarrje e padrejtë e bashkisë Tiranë dhe e pabazuar në fakte reale atëherë këtyre sigurisht u takon një shpërtblim dëmi".
Tipologjinë e prishjes së ndërtesave në Kombinat avokati e krahason me atë të prishjes së Teatrit.

"Është shumë e ngjashme me tipologjinë e prishjes së Teatrit, vijnë dhe bëjnë operacioni Blic".

Matlija sqaroi se të gjitha proceset gjyqësore janë duke vijuar dhe janë në fazat e hershme të procesit.

"Gjykimi vazhdon, jemi ende në fazat e hershme të gjykimit dhe kemi ende debatet e para që po zhvillohen mes ekspertëve të licensuar që kanë dëshmuar para gjykatës dhe ekspertëve të shtetit që kanë nxjerrë vlera të tjera të dëmtimit të këtyre pallateve që nuk janë të vërteta".

Edhe banorët e prekur shprehen se seancat gjqyësore po vijojnë dhe po e ndjekin çështjen në rrugë ligjore.

"Kam bërë dy gjyqe. Kam fituar gjyqin në Apel, pezullim i prishjes së pallateve, ky dhe ai atje që po prishet. Jemi në gjyq, vazhdojmë akoma."

Ndërkohë IMT nga ana e saj ka vijuar aksionin pë shembjen e disa ndërtesave në këtë zone dhe shumë prej banorëve ende nuk janë dëmshpërblyer.