Plagosën biznesmenin dhe turistin në Sarandë, tre në kërkim
Tre persona, dy prej tyre vëllezër janë shpallur si autorë të plagosjes së biznesmenit 35-vjeçar të lokaleve të natës në Sarandë Spiro Iljadhit dhe turstiti shqiptaro-amerikan Marin Jano.
Bëhet fjalë për vëllezërit Andrea dheVisi Caushi 35 dhe 33 vjeç dhe Redjan Hadëri 33 vjeç, të tre banues në Tepelenë.
"Këta shtetas, rreth orës 03:50, në lagjen Nr.1, Sarandë, në afërsi të një lokali, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasin S. I., 35 vjeç, banues në Sarandë dhe një kalimtar të rastit shtetasin M. J., 33 vjeç, banues në Tiranë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën" sqaron policia.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, midis autorëve të dyshuar dhe shtetasit Spiro Iljadhit.
Nga ana e Policisë po punohet intensivisht për kapjen e tyre, vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave e mbetur në tentative e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
