Samiti i Vjenës/ Kurz: E rëndësishme lufta e përbashkët kundër migracionit ilegal

Pandemia dhe shqetësimi lidhur me trafikun e emigrantëve të paligjshëm kanë mbizotëruar takimin e kancelarit austriak, Sebastian Kurz, me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor.

Përveç kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Samit morën pjesë edhe përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Malit të Zi, ai i Bosnje Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe Belinda Balluku nga Qeveria e Shqipërisë.

Tema kryesore që u diskutua ishte lufta e përbashkët kundër migracionit të paligjshëm, prespektiva e BE-së për të gjitha vendet e rajonit, lufta kundër pandemisë së Covid-19 dhe mbështetja ekonomike që do t’iu ofrohet këtyre vendeve pas krizës.

Sipas të dhënave të Kancelarisë Federale në Vjenë, rreth 80 mijë migrantë të paligjshëm ndodhen aktualisht në Greqi dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri austriak Sebastian Kurz, e cilësoi shqetësuese këtë situatë.

“Në Samitin e Ballkanit Perëndimor, e riafirmojmë luftën e përbashkët kundër migracionit ilegal. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos para verës”.

Ndërkohë në lidhje me pandeminë, kreu i qeverisë austriake njoftoi se vendi I tij deri tani ka dhënë 600 mijë doza vaksine për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilave do tu shpërndahen edhe një milion doza të tjera.