Tensionet në Lindjen e Mesme, ushtarakët e ShBA-Izrael, diskutime për situatën në rajon

Ushtarakët amerikanë dhe izraelitë do të takohen të shtunën për të diskutuar për situatën në rajon. Irani i është drejtuar kutive të votimit këtë të premte, ku i preferuar sipas sondazheve është një konservator, por për zv. Ministrin e Jashtëm iranian, kushdo që të fitojë në Iran, nuk ndikon në bisedimet e Vjenës për marrëveshjen bërthamore.

Këtë të shtunë, Shefi i ushtrisë së Izraelit do të jetë në Amerikë për të diskutuar me palën amerikane për situatën në Gaza dhe armëpushimin e 21 majit. Më herët, izraelitët kanë pasur një luftë 11 ditore me militantët e Hamasit që la me dhjetra të vrarë nga të dyja palët.

Në Izrael kemi një qeveri të re të nacionalistit Naftali Benet, i cili është zotuar se nuk do ta lejojë Iranin që të ketë armë bërthamore. Mediet izraelite njoftojnë se një nga temat e bisedimeve të ushtarakëve do të jetë edhe programi bërthamor i Iranit.

Iranianët ndërkaq i janë drejtuar kutive të votimit këtë të premte për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Në garë janë katër kandidatë, por mediet iraniane shkruajnë se sondazhet sugjerojnë se konservatori Ebrahim Raisi, është më i preferuari nga zgjedhësit.

Reuters shkruan se bisedimet indirekte midis Teheranit dhe Uashingtonit për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit, të 2015-ës, janë shumë premtuese, por ka ende disa çështjet thelbësore për t'u negociuar.

Zv. Ministri i Jashtëm Iranian, Araqchi, pjesë bisedimeve me fuqitë e mëdha në Vjenë,  tha për Reutersin se zgjedhjet presidenciale të Iranit nuk do të kenë asnjë efekt te negociatat dhe ekipi negociator iranian do të vazhdojë bisedimet pavarësisht nga politika e brendshme.