Kim Jong-un i gatshëm për ‘dialog dhe konfrontim’ me SHBA-të
Situata e rënduar ekonomike dhe izolimi prej botës po e shyn Korenë e Veriut të kërkojë dialog me Amerikën. Uashingtoni thotë se është i hapur për diplomaci me Phenianin por kërkon zotim nga pala tjetër për çështjet më serioze, siç është fuqizimi bërthamor i Koresë Veriore.
Koreja e Veriut gjendet përballë një krize ushqimesh e cila sa vjen e vështirësohet prej sanksioneve ekonomike amerikane.
Samitet e shpeshta me ish-presidentin Donald Tramp përfunduan pa shumë rezultate, dhe udhëheqësi koreanoverior, Kim Xhong-un, tani kërkon ta zgjidhë ngërçin me ndihmën e administratës demokrate të Xho Bajdenit.
Në një takim të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Kim Xhong-un tha se vendi i tij është ploësisht i përgatitur si për dialog, edhe për përballje me Amerikën.
"Ne duhet të mbrojmë dinjitetin dhe interesat e shtetit për një zhvillim të pavarur, të garanojmë një mjedis paqësor dhe sigurinë e shtetit. Duam t'i përqendrojmë përpjekjet te stabilizimi i situatës në Gadishullin Korean," u deklaroi lideri i komunistëve zyrtarëve të tij.
Presidenti amerikan e ka quajtur Korenë e Veriut një kërcënim serioz për sigurinë globale.
Ndërkohë Pheniani i është referuar Bajdenit si gangster përpara se të zgjidhej president.
Koreja e Veriut vazhdon ta sfidojë komunitetin ndërkombëtar duke mos hequr dorë nga programi bërthamor edhe pse është zotuar më parë që ta ndalë atë, në këmbim të çlirimit prej sanksioneve nga SHBA-ja, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

