Franca do të dërgojë një statujë të dytë të Lirisë në SHBA
Njujorkezët kanë një dhuratë surprizë që po e presin me padurim këtë Ditën e Pavarësisë në 4 korrik: një Statujë të dytë të Lirisë dërguar nga Franca.
Kjo statujë e re prej bronzi, e quajtur "motra e vogël", është një e gjashtëmbëdhjeta e madhësisë së asaj me famë botërore që qëndron në Ishullin e Lirisë.
Të hënën, gjatë një ceremonie të veçantë, motra më e vogël u ngrit dhe u ngarkua në një enë speciale në Muzeun Kombëtar të Arteve dhe Mjeshtërive (CNAM) në Parisin qendror, ku është instaluar që nga viti 2011 në kopshtin e muzeut.
Ajo do të vendoset në Ellis Island, pikërisht përtej ujit nga origjinali, nga 1 korrik deri më 5 korrik.
Statuja, mbi 450 kilogramë në peshë dhe mbi 3 metra e gjatë, u ndërtua për herë të parë në vitin 2009.
Ajo është një kopje e saktë e modelit origjinal të vitit 1878 të ruajtur nga Muzeu Kombëtar i Arteve dhe Mjeshtërive.
"Statuja simbolizon lirinë dhe dritën në të gjithë botën," tha Olivier Faron, administratori i përgjithshëm i CNAM.
"Ne duam të dërgojmë një mesazh shumë të thjeshtë: miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara është shumë e rëndësishme, veçanërisht në këtë moment. Ne duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë miqësinë tonë."
Replika mban të njëjtin model neoklasik si "motra e saj e madhe" në Neë York, e cila përfaqëson perëndeshën romake Libertas dhe është rreth 50 metra e gjatë (93 m së bashke me bazamentin).
Ajo mbart shumë simbolika në vetvete: kurora me shtatë rreze, që përfaqësojnë rrezet e diellit që shtrihen në botë; një tabelë e shënuar me numrat romak me datën e pavarësisë së Amerikës; dhe zinxhirë të këputur dhe pranga të shtrira në këmbën e majtë, që nënkupton heqjen e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.
Statuja ikonike e Lirisë që mbërriti në Nju Jork në 1886 kishte për qëllim gjithashtu të forconte miqësinë franko-amerikane, në një kohë kur Parisi dhe Uashingtoni ngadalë po largoheshin.
