Haxhi në Mekë / Robotët do të shpërndajnë ujin e bekuar për pelegrinët

Robotët inteligjentë pritet të shpërndajnë ujin e bekuar  nga pusi i Zamzamit për pelegrinët, në përpjekje për të shmangur kontaktin midis punëtorëve dhe njerëzve, përpara sezonit të ardhshëm të Haxhit në vendin e shenjtë të Mekës.

Zyrtarët sauditë deklarojnë se është e rëndësishme të tregohet kujdes për shkak të varianteve të reja të koronavirusit, ndaj kanë ndërmarrë masa paraprake.

Arabia Saudite ka njoftuar se do të lejojë 60,000 banorë të vaksinuar kundër covid 19 të kryejnë haxhin e këtij viti, por myslimanët nga jashtë do të ndalohen për të dytin vit radhazi.

"Qëllimi i robotit inteligjent është të ofrojë vetëshërbim pa ndonjë kontakt midis njerëzve dhe ky është një nga shërbimet e dhëna nga presidenca për dy Xhamitë e Shenjta," tha Bader Al-Loqmani, kreu i departamentit të ujit në Mekë.

"Tani kemi rreth 20 robotë inteligjentë të gatshëm për t'u shërbyer pelegrinëve në sezonin e ardhshëm të Haxhit. Dhe nëse është e nevojshme numri I tyre mund të rritet".

Haxhi në përgjithësi tërheq më shumë se 2 milionë pelegrinë në qytetet e shenjta myslimane të Mekës dhe Medinës. Këtë vit është planifikuar të mbahet në datat 17-22 korrik. Rituali pesëditor është një prej pesë shtyllave të Islamit dhe detyrë që duhet ta kryejë një herë në jetë secili mysliman që ka aftësi fizike dhe mund ta përballojë udhëtimin.