Çfarë po ndodh? Faqet prestiogjoze botërore të lajmeve dalin jashtë funksionit
Faqet kryesore të internetit në mbarë botën, nga mediet ndërkombëtare të faqet qeveritare, dolën të martën provizorisht jashtë funksionit.
Problemet filluan rreth orës 11 të paradites me kompaninë amerikane, "Fastly", e cila ofron si shërbim lidhje më të shpejta dhe më të sigurta me faqet e internetit.
Brenda pak momenteve, u bë e pamundur hapja e faqeve si "New York Times", francezja "Le Monde", britaniket "BBC" dhe "The Guardian".
Probleme me hapjen patën edhe faqet e qeverisë britanike dhe presidencës amerikane, si edhe faqja e blerjeve nga interneti, Amazon, apo e transaksioneve financiare, PayPal.
Në orën 14:41 të pasdites, kompania "Fastly" njoftoi kthimin normal të shërbimit për klientët.
"Në renë tonë informatike vërejtëm një konfiguracion të gabuar që shkaktoi çrregullime globalisht. Funksioni u çaktivizua dhe tani linja po kthehet si më parë," njoftoi kompania amerikane.
Ekspertët e fushës ngrenë shpesh shqetësimin se infrastruktura aktuale e internetit mbetet shumë e prekshme nga incidente të tilla pasi i është deleguar pak firmave nëpër botë.
Problematika e së martës u shfaq në pika të ndryshme të planetit, te faqet e Hong-Kongut, në Australi, në Brazil, në Amerikë dhe në qytetet kryesore europiane ku kompania "Fastly" ka të shpërndara pjesë të resë së vet informatike.

