Mahnitëse / Fotot ajrore zbulojnë bukurinë e fshehtë simetrike të aeroporteve
Për shumë udhëtarë korridoret boshe të aeroporteve gjatë pandemisë, kanë qenë zhgënjimi i vitit të kaluar, por për fotografin gjerman, Tom Hegen, kjo ishte mundësia e artë për të shkrepur fotot e veçanta nga lartë të aeroporteve, pa njerëz.
"Unë nuk mendoja kurrë se do arrija të fotografoja aeroportet më parë, sepse ato janë super të kufizuara dhe shumë të sigurta. Kurrë nuk e kisha menduar se do më jepej mundësia për të fluturuar me helikopter me derë të hapur mbi një aeroport plotësisht funksional. Ishte e paimagjinueshme për mua", thotë fotografi gjerman për CNN.

Por me fluturimet e anuluara në të gjithë botën dhe trafikun e reduktuar ajror, Hegen provoi fatin e tij. Megjithëse marrja e lejes ishte "e gjatë dhe e komplikuar", atij përfundimisht iu dha leja për akses në gjashtë aeroportet më të mëdha të Gjermanisë, duke kaluar deri në dy orë në qielli mbi secilin aeroport, raporton Ora News.
Fotot e regjistruara zbulojnë një bukuri, që nuk e kishim parë deri më sot, me fotografin gjerman duke spikatur momentet simetrike midis aeroplanëve të parkuar. Magazinat, parkingjet, kontejnerët dhe ndërtesat luajnë rol të rëndësishëm në imazhet surreale. "Disa nga fotot duken si ilustrime," thotë Hegen, i cili gjithashtu punon si dizajner grafik. "Fotot pothuajse duken artificiale, sikur vijat e aeroportit janë vendosur me photoshop, por kjo nuk është e vërtetë."



