NASA përgatit dy misione të reja në Venus, kushtojnë 500 milionë $

Nasa ka njoftuar se po dërgon dy misione të reja në Venus në mënyrë që të shqyrtojë atmosferën e planetit dhe tiparet gjeologjike. Misionet me një financim rreth 500 milionë $, do të fillojnë në mes të 2028 dhe 2030. Administratori i Nasa-s, Bill Nelson tha se ato do të ofrojnë "mundësinë për të vëzhguar një planet ku nuk kemi qenë në më shumë se 30 vjet".

Sonda e fundit që ka vizituar planetin ishte orbita Magellan në 1990. Megjithatë, anije të tjera kanë bërë fluturime që nga ajo kohë. Misionet u zgjodhën pas një procesi vlerësimi  bazuar në të dhënat shkencore dhe planet e zhvillimit.

"Këto dy misione motra synojnë të kuptojnë se si Venusi u bë një botë e ngjashme me ferrin, e aftë të shkrijë plumbin në sipërfaqe", tha Nelson.

Venusi është planeti i dytë nga dielli dhe planeti më i nxehtë në sistemin diellor me një temperaturë në sipërfaqe prej 500C - mjaft e nxehtë për të shkrirë plumbin.

Misioni Davinci + do të masë atmosferën e planetit për të marrë njohuri se si u formua dhe evoluua. Ndërsa misioni i dytë, Veritas do të vëzhgojë sipërfaqen e planetit për të kuptuar historinë e tij gjeologjike dhe për të parë se si u zhvillua kaq ndryshe nga Toka.

"Është befasuese se sa pak dimë për Venusin, por rezultatet e kombinuara të këtyre misioneve do të na tregojnë për planetin nga retë në qiell deri në përbërjen e tij", tha Tom Wagner nga Divizioni i Shkencave Planetare.

"Do të jetë sikur të kemi rizbuluar planetin," shtoi ai.