Korçë/ Gjendet i mbytur një person në rezervuarin Gjançit
Në rezervuarin e Gjançit, në Korçë, është gjetur një shtetas i mbytur.
Trupi i pajetë i një mashkulli është gjetur mbi sipërfaqen e ujit paraditen e sotme nga banorët e zonës. Policia deri në këto momente nuk ka bërë me dije emrin e tij pasi edhe për grupin hetimor është i paidentifikuar.
Policia po heton për shkaqet e mbytjes ndërkohë që ka siguruar një perimetër të gjerë sigurie duke mbajtur shumë larg edhe kamerat e gazetarëve.
Deri tani policia nuk ka bërë me dije nëse në trupin e personit të gjetur të mbytur në ujërat e rezervuarit të Gjançit janë konstatuar shenja dhune apo elementë të tjerë.
Ajo çfarë dihet është se në vendin e ngjarjes krahas grupit të hetimit dhe ekspertëve të kriminalistikës kanë qenë edhe mjekët ligjorë.
Për identifikimin e të mbyturit policia e juglindjes ka kërkuar edhe ndihmën e banorëve të zonës por deri tani edhe ata e kanë pasur të pamundur identifikimin e tij çka edhe për policinë hedh dyshime që të mos jetë banor i fshatrave të Njësisë Administrative Vithkuq.
