Nga Vlora në Lezhë, ja sa anëtarë do të votojnë për kreun e PD-së në 12 qarqe
Ka nisur procesi i votimit për të zgjedhur kryetarin e PD-së në Vlorë.
Gazetari i Ora News, Edi Ruçi bën me dije se janë 1435 anëtarë me të drejtë vote të cilët do t'i drejtohen qendrës së votimit të ngritur pranë selisë së PD Vlorë,.
Votimet kanë nisur në orën 8.00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Gazetarja Iris Rezhda informon se edhe në Korçë ka nisur procesi i votimit në të gjithë qarkun.
Numri i anëtarëve të miratuar për të votuar është 5379. Procesi ka nisur në orën 08:00 dhe do të vazhdojë deri në orën 19:00.

Gazetari Elvis Hila bën me dije se në Lezhë do të votojnë 2402 anëtarë për të zgjedhur kryetarin e forcës më të madhe opozitare në Shqipëri.
Që në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm janë hapur dyert e zyrës së PS-së ku dhe do zhvillohet votimi për katër kandidatët që garojnë.

Gazetari Julian Kasapi informon se në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm ka nisur procesi i votimit në Lushnjë dhe Divjakë. Janë 1994 anëtarë në listën e DP-së që i janë drejtuar qendrave të votimit për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj force politike.
Kryetari i PD-së në Lushnjë, njëherësh deputet nga zgjedhjet e 25 prillit zoti Sajmir Korreshi pohon se procesi është normal dhe të katërt kandidatët kanë përfaqësuesit e tyre si vëzhgues.
"Procesi ka filluar normal, shikoj një trend të kënaqshëm të pjesëmarrësve. Ka pasur të interesuar që para orës 08:00. Të katërt kandidatët kanë vëzhguesit e tyre," tha zoti Korreshi.

Procesi i votimit për të zgjedhur kreun e ri të PD-së ka vijuar normalisht në Gjirokastër dhe në bashkitë e tjera. Të drejtën e votës e kanë 1250 anëtarë të partisë.

Përsa i përket votimit në Shkodër, gazetari Bepin Kolvata bën me dije se të drejtën e votës e kanë 3100 anëtarë.
Deri tani pjesëmarrja ka qenë 30%.