Po ndërtonin pa leje në plazhin e Darzezës, arrestohet administratori i një lokali dhe 3 të tjerë
Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Fierit pasi kryenin ndërtime pa leje në plazhin e Pishë-Poros, në Darzezë.
Policia njofton se ka arrestuar administratorin e një lokali në plazhin Pishë-Poros dhe 3 shtetas të cilët po kryenin punime pa lejë në tokë publike plazh.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të territorit në plazhin e Pishë-Poros në Darzezë, kanë konstatuar një ndërtim që po kryhej pa lejen e autoriteteve kompetente.
Në vijim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve Xh. H., 45 vjeç, banues në Tepelenë (Administratorë i lokalit) për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm."
Gjithashtu u arrestuan në flagrancë për veprën penale "Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve”, shtetasit G. T., 47 vjeç, A. K., 41 vjeç dhe E. S., 28 vjeç, banues në Fier.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Fier për veprime të mëtejshme.
