Drama Eriksen, shembulli i heroit dhe kapitenit që dha Simon Kjaer
Në një mbrëmje si ajo që ndodhi në Copenhagen, shfaqen edhe heronjë apo shembujt ku njerëzit duhet të mbështeten. Në minutën e 41’ kur të gjithë u shokuan nga pamjet e rrëzimit të Eriksen në fushë, ishte Simon Kjaer ai që vrapo i pari në ndihmë të shokut të skuadrës.
Në pamjet tronditëse që u transmetuan, kapiteni i Danimarkës vrapoi menjëherë dhe pengoi që Eriksen të gëlltiste gjuhën kur shoku i tij ishte pa ndjenja në fushë, ndihmoi stafin mjekësor t’i bënte masazh kardiak dhe thirri skuadrën që të rrethonte vendin ku ndodhej Eriksen për të mos lejuar kamerat që të kapnin momentet tronditëse.
Jo vetëm kaq por ai vrapoi menjëherë sapo pa bashkëshorten e Eriksen të tronditur e cila donte të afrohej me lojtarin që ishte pa ndjenja, teksa e përqafonte dhe e inkurajonte për t’u bërë e fortë në një moment të tillë.
Në fund, Kjaer shoqëroi edhe barelën me të cilën Eriksen po dërgohej në spital në Copenhagen dhe kaq mjafton për të treguar heroin e mbrëmjes.
Lajmi më i gëzuar ishte sigurisht përmendja e Christian Eriksen i cili është në gjendje stabël ndërsa mësimi i madh për jetën erdhi nga Kjaer, një hero dhe një kapiten i vërtetë!




