Start i mbarë, Italia fiton 3-0 dhe bind ndaj Turqisë

Jemi në Euro 2020 tashmë. Me ceremoninë magjike në “Olimpico”, parashikimet dhe diskutime i lënë vend verdiktit të fushës dhe Italia tregon menjëherë sesa vlen që në start.

Skuadra e Mancinit triumfoi 3-0 ndaj Turqisë në një ndeshje pa histori ku të kaltërit dominuan nga fillimi deri në fund.

Ndoshta paksa nga presioni i ndeshjes së parë apo dhe emocionet përballë tifozëve pas kaq shumë kohësh, në pjesën e parë skuadrat u treguan të kujdesshme dhe në fakt ishte vetëm Italia që kërkonte golin. Me Insignen dhe Chiellinin, ishin shumë pranë golit të pare ndërsa dy rastet të tjera ishin pretendime për penallti për të kaltërit që normalisht nuk u akorduan.

Pjesa e dytë nisi me një “marsh” më shumë për skuadrën e Mancinit që rriti presionin dhe në 53’ falë një aksioni nga krahët, Berardi që kroson detyron Demiral të shënojë në portën e tij.

Goli çliroi të kaltërit të cilët nuk u ndalën të mbronin rezultatin por u hodhën menjëherë në sulm dhe pas disa rasteve, arrijnë dhe të konkretizojnë golin e dytë me Ciro Immobile në 66’.

Fluturon Italia në fushë me lojë dhe me qarkullim ndërsa Turqia është pothuajse në “gjumë” dhe nuk reagon ndërsa ka vend dhe për një gol të tretë, mjaft të bukur nga Insigne, ashtu siç di t’i shënojë ai në cepin e portës.

Mbyllet me një fitore të pastër 3-0 ndeshja Turqi-Itali dhe me 3 pikë të rëndësishme për skuadrën e Mancinit që tregon se e ka çuar skuadrën në një nivel shumë të lartë.