Spanja vaksinohet para Europianit, një i infektuar te Rusia
Situata nga koronavirusi është përgjithësisht e qetë në 24 skuadrat pjesëmarrëse te Euro 2020 por 2-3 përfqësuese kanë shfaqur probleme si Suedia, Spanja dhe së fundmi Rusia.
Federata Ruse bëri të ditur se Andrey Mostovoy ka humbur shansin për të qenë në Europian pasi ka rezultuar pozitiv në teste dhe vendin e tij e ka zënë mesfushori tjetër Roman Evgenjev.
Ndërkohë te Spanja ka patur polemika që pas rezultatit pozitiv të testit nga Busquets dhe sot rreth ores 10:00, të gjithë lojtarët dhe stafi i “La Rojas” u vaksinuan pas një marrëveshjeje me Ministrinë e Shëndetësisë spanjolle.
Sipas marrëveshjes, lojtarët dhe anëtarët e stafit të Spanjës që kanë kaluar covidin apo kanë marrë dozën e parë, u vaksinuan me Pfizer ndërsa pjesa tjetër u vaksinuan me Johnson e cila imunizon nga covid-19 me vetëm një dozë.
Sipas shtypit spanjoll, edhe pse vaksina Johnson&Johnson nuk rekomandohet për mosha të tilla, shërbimi mjekësor i Kombëtares së Spanjës ka marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë për vaksinimin dhe shëndetin e lojtarëve që morën një dozë të tillë.