Negociatat/ Zbuten vendet skeptike

Vendet europiane skeptike ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut po ndryshojnë bindje dhe janë tani në mbështetje të hapjes së negociatave me dy vendet e Ballkanit.

Ministrat e Jashtëm të BE-së takohen pas dy javësh për të diskutuar axhendën e zgjerimit.

Si Franca, edhe Holanda që në 2019-ën ndikuan për ta shtyrë vendimin, tani kanë dalë në konkluzionin se Tirana dhe Shkupi duhen mbështetur.

Mesazhin e dha të enjten presidenti francez, Emanuel Macron, teksa priti në pallatin Elize kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev.

"Bashkimi Europian vendosi marsin e vitit të kaluar të nisë negociatat me vendin tuaj dhe tani është koha ta konkretizojmë atë vendim. Franca ju mbështet dhe Maqedonia e Veriut e meriton hapjen e negociatave pa vonesa," tha Macron.

Në Bruksel nuk ka gjetur mbështetje ideja e veçimit të Tiranës dhe Shkupit, por synohet që negociatat të zhvillohen njëherazi me të dyja shtetet, përmes konferencave ndërqeveritare.

Holanda mësohet se do e debatojë çështjen në parlamentin e saj më 16 qershor, dhe nga letrat që i janë dërguar prej qeverisë holandeze, dallohet se ka ndryshuar pikëpamja rreth arritjeve të Shqipërisë në përmbushjen e kritereve.

"Për qeverinë holandeze, konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë mund të mbahet sapo të miratohet korniza e negocimeve," shkruan studiuesi holandez, Uouter Cvers, duke cituar qëndrimin e ekzekutivit holandez.

Të premten, edhe diplomacia amerikane shprehu përkrahjen për procesin.

"Ne mbështetim pa vonesë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Jemi të angazhuar me nivelet më të larta të qeverisë ndaj aspiratës europiane të këtyre shteteve," shkroi në Twitter Ned Price, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit.