Mjeku ofron ilaçe të rreme kundër Covid për të rritur numrin e ndjekësve në rrjetet sociale

Një përfaqësues dhe mjek nga Brazili po reklamon në rrjetet sociale ilaçe të cilat nuk janë provuar të jenë të sigurta ose efektive kundër Covid-19 për të rritur numrin e ndjekësave në rrjetet sociale.

Brazili është goditur rëndë nga Covid, dhe shumë njerëz janë duke kërkuar ndihmë.

Dr Albert Dickson, një okulist në rajonin veri-lindor të Brazilit, u ofron pacientëve të ardhshëm "konsulta falas mjekësore" si dhe përshkrimin e "masave" kundër virusit.

"Si do të keni të drejtë për konsultë? Do të regjistroheni në kanalin tonë ... Do të bëni një screenshot dhe do ta dërgoni në WhatsApp tim. Kur ta dërgoni, do të filloni të keni qasje," tha ai në një video të postuar në Facebook.

"Sekreti është të dërgoni foton dhe të tregoni se jeni regjistruar."

Përveç se është okulist, Dr Dickson është një përfaqësues i shtetit brazilian nga partia e vogël Pro, e cila mbështet Presidentin Jair Bolsonaro.

Në konsultat e tij, ai përshkruan barna të tilla si "ivermektina."

Ky është një trajtim për morrat dhe zgjebe për të cilin ai dhe të tjerët thonë se parandalon Covid - por sipas disa autoriteteve kryesore shëndetësore, nuk ka asnjë provë për të mbështetur këto pretendime.

BBC News Brasil intervistoi një numër pacientësh që kontaktuan Dr Dickson në WhatsApp dhe secili konfirmoi se ata morën një përgjigje  duke përsëritur procesin dhe duke i inkurajuar ata ta ndiqnin atë në Instagram.

Ne kontaktuam me Dr Dickson përmes postës elektronike.

Ai thotë se "sugjeron" të regjistroheni në kanalet e tij në Instagram dhe YouTube sepse ai vendos "kërkime të azhurnuara atje dhe shpjegon sëmundjen në detaje."

"Nuk është e detyrueshme të regjistroheni në kanal për të marrë një konsultë," thotë ai.

"Ne thjesht e sugjerojmë atë. Shumë nuk pajtohen dhe ne vazhdojmë të përgjigjemi. Konsultimi virtual është falas."

Dr Dickson gjithashtu tha se ai ishte "mbi të gjitha një mjek" dhe tha se Këshilli Federal i Mjekësisë në Brazil, i cili rregullon mjekët, i jep atij të drejtën për "të mjekuar kundër Covid-19".

Kanali i tij në YouTube ka më shumë se 200,000 ndjekës. Ai ka rreth 140,000 ndjekës në dy profile në Instagram, së bashku me 50,000 në Facebook.