Me 15 qershor samiti SHBA-BE në Bruksel për një bashkëpunim tregtar dhe politik
Javën e ardhshme në Bruksel do të organizohet samiti SHBA-BE ku presidenti amerikan, Bajden, dhe liderët e unionit do tentojnë për një fazë miqësie që mungoi në katërvjeçarin e shkuar me presidentin Donald Tramp. Tregtia dhe koordinimi politik pritet të jenë fokusi kryesor.
Bashkimi Europian dhe Amerika pritet javën e ardhshme të hapin një kapitull të ri të bashkëpunimit tregtar dhe për tema të interesit reciprok.
Sipas agjencisë së lajmeve, "Reuters", dokumenti për një marrëdhënie të re SHBA-BE u diskutua të mërkurën nga ambasadorët e unionit dhe mund të paraqitet në Bruksel në takimet e planifikuara mes presidentit Xho Bajden dhe krerëve më të lartë të BE-së.
Zv.presidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, tha të mërkurën se unioni do që t'i shtensionojë raportet dypalëshe të cilat i përshkallëzoi ish-presidenti Donald Tramp.
Valdis Dombrovskis: Kemi hapur debatet mbi tarifimin e avionëve përkatës dhe masat e SHBA-së për sa i përket tarifimit të çelikut dhe aluminit tonë. Për këtë të fundit kemi dhënë sinjale të qarta se duam ta zgjidhim problemin në mënyrë të drejtë dhe të ekuilibruar. Tani SHBA-ja duhet t'i kthejë fjalët e veta në vepra.
Në samitin në Bruksel, palët pritet të bien dakord edhe për bashkëpunim politik, dhe të koordinojnë qasjen ndaj Kinës duke nisur me një kërkesë të përbashkët për të studiuar origjinën e pandemisë së kovidit-19.
Studimi ka filluar në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që shtetet europiane janë përpjekur të ruajnë balancën strategjike për të mos iu kundërvënë as Uashingtonit, as Pekinit.
"Ne synojmë të konsultohemi ngushtësisht për një sërë problematikash dhe qasjesh shumëplanëshe ndaj Kinës, për elementë të bashkëpunimit, konkurrencës dhe rivalitetit sistemik," nënvizohet në draftin e cituar nga agjencia "Reuters" dhe që pritet t'u vihet përpara palëve amerikane dhe europiane më 15 qershor.

