SHBA do të dhurojë 500 milionë doza vaksinash në të gjithë botën

Administrata e Presidentit të SHBA-së Joe Biden do të sigurojë 500 milion doza të vaksinës Pfizer Covid-19 në rreth 100 vende gjatë dy viteve të ardhshme, raportojnë mediet amerikane.

Rreth 200 milion doza do të shpërndahen këtë vit, dhe pjesa e mbetur do dorëzohet në vitin 2022.

SHBA ka qenë nën presion për të rritur nivelet e vaksinimit në vendet e varfra.

Masa vjen ndërsa Z. Biden ndodhet për një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar në fillim të udhëtimit të tij të parë të huaj si president i SHBA.

Shtëpia e Bardhë ende nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi planin për të shpërndarë 500 milion doza në të gjithë botën.

Por kur u pyet nëse qeveria amerikane kishte një strategji vaksinimi për botën, Z. Biden tha: "Unë kam një të tillë dhe do ta shpall atë" përpara se të hipte në Air Force One.

Në udhëtimin e tij tetë-ditor Z. Biden do të takojë Mbretëreshën në Kalanë Windsor dhe do të bashkohet me samitin e tij të parë të NATO-s si President. Ai ka thënë se vizita ka të bëjë me "Amerikën që mbledh demokracitë e botës" .

Presidenti amerikan do të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në fund të udhëtimeve të tij në Evropë.