Politikanët "non grata", Shabani: Sinjal nga SHBA për t'i treguar shqiptarëve kush i ka vjedhur
Kryetari i Nismës Thurrje, Endi Shabani i ftuar në studion e Ora News, me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se pushteti publik është përdorur për përfitime private për 30 vjet. Por problemi kryesor i zgjedhjeve të 25 prillit, sipas Shabanit ka qenë para ditës së votimit. Një fenomen i ri sipas Shabanit ishte dhe noterizimi i votës.
Shabani: "Problemi kryesor i këtyre zgjedhjeve ka qenë para ditës së votimit. Është përdorur pushteti publik, për përfitime private. Kjo është diçka që ka ndodhur për 30 vjet. Fenomeni i ri janë raste të ndryshme episodike që tregojnë se është shtuar noterizimi i blerjes së votës. Pra nëse në zgjedhjet e kaluara çonin miell, ushqime po nuk kishin siguri që do konvertoheshin në vota këto ndihma."
Shabani shprehu shqetësimin se po shkohet drejt konsolidimit të pushtetit në një grup të vogël njerëzish.
Shabani: "Nuk ka ndodhur në këto 30 vjet që një parti të qëndrojë në pushtet 12 vjet. Ne po shkojmë drejt konsolidimit të pushtetit te një grup i vogël njerëzish. Afrimiteti i Ramës me lidera autoritar si Erdogani, eksperimenti që ndodhi vitin e kaluar me pandeminë ku kryeministri vendoste nga Facebook-u kur duhet të dilnim dhe si ndëshkoheshim, të gjitha këto tregojnë që ne mund të shkojmë drejt konsolidimit të një autokracie. Mua kjo më shqetëson. "
Përsa i përket nismës së Partisë Socialiste për shkarkimin e Presidentit Meta, Shabani tha se Rama nuk e bën këtë sepse është shqetësuar që Meta ka shkelur Kushtetutën. Dhe nga ana tjetër, sipas Shabanit roli i Presidentit nuk ka qenë roli që pritet nga ai mbi palët.
Shabani: "Nga njëra anë është e qartë që Rama nuk po e bën këtë fushatë sepse është shqetësuar që Meta shkel Kushtetutën. Nga ana tjetër roli i Presidentit Meta ka qenë jo roli i asaj që ne presim nga një President, që të ishte mbi palët. Kjo krizë duhet shfrytëzuar për të kuptuar rolin që duhet të ketë Presidenti. Duhet të kuptojmë pse na duhet Presidenti. Ne duhet të kemi një President që nuk është atje kukull. Presidenti duhet të ketë pushtet që i buron nga populli."
Shpalljen "non grata" të ish kryeministrit Berisha, Shabani nuk e shikon si pasojë të veprimeve të tij anti amerikane. Shabani u shpreh se SHBA po i çon një sinjal popullit shqiptar për të parë se kush janë politikanët e korruptuar.
Shabani: "Vendimin e DASH unë nuk e lexoj për të futur Berishën në listën e personave "non grata" si pasojë e qëndrimeve të tij antiamerikane. Kjo çon një sinjal te populli shqiptar se cilët shikohen nga SHBA si politikanë të korruptuar, që do të thotë se kanë vjedhur lekët e popullit të vet. E shoh si pasojë e kujdesit të SHBA për të mbajtur të pastër politikën e vet. Kjo vjen si pasojë e atyre që ata i kanë bërë popullit të vet. Nëse zoti Meta është i radhës në listë, nuk besoj se vjen nga qëndrimet e tij antiamerikane. Pastrimi i elitës politike shqiptare është detyrë vetëm e popullit shqiptar. Detyra dhe përgjegjësia na takon ne, ta pastrojmë politikën tonë nga aat të cilët menaxhojnë pasurinë tonë. Ka dy gjëra. Ne nuk duhet të presim që SHBA të na zgjedhë se kush bëhet kryeministër. SHBA bashkëpunon me institucione shqiptare për interesat e tyre politikë. Duhet pasur parasysh që mbështetja për zotin Rama nuk është mbështetje individuale, pro si institucion. Mbështetjen që i jepet institucioneve është e rëndësishme mos ta lexojmë si mbështetje që i jepet individëve. "
