Një shekull nga masakra e egër ndaj komunitetit me ngjyrë të Oklahomës
Komuniteti me ngjyrë i Amerikës por edhe politika ka kujtuar 100-vjetorin e masakrës së Tulsës, ku afroamerikanët u përndoqën egërsisht për dy ditë me radhë. Qindra banorë të qytetit verilindor të Oklahomës u vranë e u linçuan nga banorët vendës.
Amerika ka përkujtuar masakrën më të madhe për motive racizmi që pëfundoi 100 vite më parë me gati 300 afroamerikanë të vrarë.
Ngjarja në qytetin Tulsa të Oklahomës u shënua mes 31 majit dhe 1 qershorit 1921, e nxitur nga ngacmimi i një gruaje prej një afroamerikani, ngjarje që revoltoi komunitetin dhe për orë me radhë i nënshtroi njerëzit me ngjyrë ndaj dhunës, dëbimit e linçimit në publik.
Ceremonia përkujtimore e së hënës bëri bashkë dy të mbijetuar në lagjen ku atëkohë afroamerikanët humbën tërë pasuritë e tyre.
Disa nga politikanët demokratë të pranishëm propozuan që ata të dëmshpërblehen, ndërsa pasardhësit e viktimave reaguan me emocion.
Një kishë tashmë historike në lagjen "Greenëood" të Tulsës ishte ndër të paktat godina që arriti t'i durojë zjarreve.
Banorët thonë se ka ardhur koha të kërkohet ndjesë publike për ngjarjet e 1921-it, dhe ndjesa t'u adresohet posaçërisht afroamerikanëve si komuniteti më i përndjekur ndër shekuj.
"Mendoj se është hipokrizi nga ana jonë që shkojmë nëpër botë dhe u kërkojmë shteteve të tjera t'i trajtojnë drejt e mirë qytetarët e vet, kur Amerika vetë nuk është e drejtë dhe nuk është paqëtuar për masakrën më të madhe racore në historinë e vet, këtu në Tulsa."
Presidenti Xho Bajden i planifikoi për të martën vizitat me rastin e 100-vjetorit të ngjarjes, ndërsa ka premtuar investime dhe politika që ta bëjnë më të barabartë jetesën për komunitetet me ngjyrë.

