Drejtoi operacionin për vrasjen e Falcones, lihet i lirë ish-krahu i djathtë i bosit të mafies siçiliane Toto Riina

Politika italiane është unanime në indinjatën e saj kundër vendimit të marrë pak orë më parë nga drejtësia italiane, për të lënë të lirë një nga figurat më me emër të mafias siçiliane Cosa Nostra, autor i vrasjeve makabre e organizator i disa atentateve mafioze, Giovanni Brusca.

Pas 25 vitesh dënim me burg, ka lënë qelinë e burgut Rebbia në Romë, ish-krahu i djathtë i Toto Riinas, kapos së kapove të kupolës së mafias siçiliane Cosa Nostra.

Giovanni Brusca 64 vjeç, është lënë i lirë 45 ditë para skadencës së dënimit të tij. Gjykata e Apelit të Milanos ka vendosur që për katër vite të jetë nën liri të vëzhguar si dhe nën kontrollin e mbrojtjen nga shteti.

I dënuar për vrasje dhe për aktivitet kriminal mafioz, Giovanni Brusaca vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë italiane duke rrëfyer informacione mbi mafian siçiliane Cosa Nostra.

Giovanni Brusca ishte ai që më 23 maj 1992 drejtoi komandën e aksionit të vënies së bombës në autostradën siçiliane në afërsi të qytezës së Capacit e ku gjetën vdekjen prokurori i Antimafias, Giovanni Falcone, bashkëshortja e tij Francesco Morvillo e tre truproje të tij.

Mafiozi Giovanni Brusca qe autori i vrasjes së tmerrshme të 11 vjeçarit Giuseppe Di Matteo, djali i Santino Di Matteo ish-mafiozi që vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë. Vogëlushi u mbyt me litar e trupi i tij u shkri në acid.

Giovanni Brusca u arrestua më 20 maj të vitit 1996 e vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë italiane duke rëfyer krimet e mafias siçiliane në Romë e Firenze në vitin e tmerrshëm të 1993.

Rrëfimet e tij shërbyen në ekzekutimin e mjaft operacioneve të Antimafias si dhe për hetimet e megaprocesit Shtet-Mafia.

Rrëfimet e Giovanni Brusca sollën lehtësimin e dënimit ndaj tij, duke përfituar dhe nga një klauzolë speciale i konsideruar "bashkëpunëtor i besueshëm i drejtësisë".

Dalja nga burgu i krahut të djathtë të Toto Riinas hap një kapitull të ri për drejtësinë italiane me përgjegjësinë e sigurisë së jetës për familjarët e tij si dhe për vetë ish-bosin mafioz.

Por dalja nga burgu i Giovanni Brusca ka sjellë reagimin negativ të politikës italiane, duke e konsideruar të papranueshmë lënien e lirë të një personi që gjatë jetës së tij ka kryer vrasje makabre.

"Teknikisht i paevitueshëm dalja e tij nga burgu, por moralisht e papranueshme", është komenti i bërë nga ministrja për Jugun e Italisë, Mara Carfagna.

"Nuk është kjo drejtësia që meritojnë italianët", shkruan lideri i Partisë Lidhja, Matteo Salvini.

"Lënia e lirë e një individi të tillë është një fyerje për viktimat e mafias e ndaj atyre që cdo ditë janë në vijën e frontit kundër krimit të organizuar. Ky lajm është një disfatë e një turp për Italinë", janë fjalët e lideres së partisë Fratelli D'Italia, Giorgia Meloni.

Ka reaguar gjithashtu dhe kryetarja e Bashkisë së Romës, Virginia Raggi e cila shkruan se "është një turp i papranueshëm e një padrejtësi që i bëhet Italisë."

Po ashtu dhe kryetari i Komisionit të Antimafias italiane Nicola Morra e konsideron këtë vendim si një rrezik pasi sipas tij "Giovanni Brusca sot 64 vjeçar, ka aftësinë të jetë në aktivitet të plotë mafioz pasi siç mësojnë faktet mafia italiane vazhdon të drejtohet nga bosa 70 vjeçarë e sipër".