Italia drejt zonës së bardhë/ Viktimat Covid në numrin më të ulët të regjistruar prej muajsh

Prej datës 1 qershor, Italia do të nis zbatimin e masave më lehtësuese për përballimin e pandemisë globale.

Tre rajone italiane Molise, Friuli Venezia Giulia e Sardenga prej ditës së sotme janë zona të bardha, që do të thotë marrja fund e orës policore e hapja e të gjitha aktiviteteve si festat e martesës, koncertet, panairet, festivale, kongrese, salla lojërash, cirke, si dhe vënia në funksionim e të gjitha ambienteve të tyre të mbyllura.

Ndërsa në nivel kombëtar, prej datës 1 qershor do të lejohet përdorimi i ambienteve të mbyllura për restorantet, baret, lokalet si dhe eventet sportive në stadiume të mbyllura.

Gjithashtu  prej 1 qershorit, ora policore reduktohet nga ora 24.00 deri në ora 5.00 të mëngjesit në të gjithë territorin e vendit.

Kurba pandemike në Itali ka regjistruar një përmirësim të dukshëm. 

Në 24 orët e fundit janë shënuar 44 viktima, numër ky që nuk shënohej prej tetorit të 2020.

Fushata e vaksinës anti-Covid në Itali ka arritur të imunizoj 1 person në çdo 5 banorë duke çuar në mbi 11 milionë numrin e personave të vaksinuar me të dy dozat e mbi 34 milionë të personave që kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

Çdo ditë në Itali vaksinohen mesatarisht mbi 500 mijë persona.

Pas dhënies së dritës jeshile nga Agjesia Europiane e barnave për të rinjtë nga 12-15 vjeç, Italia pritet të aprovoj së shpejti vaksinimin anti-Covid dhe për këtë grupmoshë.

Brenda muajit qershor Italia do të marrë  në dorëzim dhe 20 milionë doza të reja vaksine.

Masat lehtësuese të 1 qershorit do të plotësohen gjatë ditëve në vijim me rregulla të reja, siç pritet që në datën 7 qershor tre rajone të tjera italiane Abruzzo, Liguria, Umbria e Veneto do të shndërrohen në zona të bardha e prej datës 14 qershor do t'u shtohen dhe Emilia Romagna, Lazio, Lombardia, Piemonte, Puglia e provinca e Trentos.