Rusia nis vaksinimin e kafshëve kundër koronavirusit

Rusia ka filluar vaksinimin e kafshëve kundër koronavirusit, njoftuan zyrtarët.Në mars të këtij viti vendi regjistroi rastin e parë të Covid te kafshët.

Disa rajone tani kanë filluar vaksinimet në klinikat veterinare, u tha mediave lokale vëzhguesi veterinar i Rusisë, Rosselkhoznadzor.

Interes për vaksinën Carnivak-Cov është treguar nga BE, Argjentina Koreja e Jugut dhe Japonia, tha agjencia.

Ndërsa shkencëtarët thonë se aktualisht nuk ka prova që kafshët luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen e sëmundjes tek njerëzit, infeksionet janë konfirmuar në specie të ndryshme në të gjithë botën.

Këto përfshijnë qen, mace, majmunë dhe vizon.Periudha e imunitetit pas vaksinimit me Carnivak-Cov vlerësohet gjashtë muaj.

Julia Melano, këshilltare e kreut të Rosselkhoznadzor, tha se klinikat po shihnin një rritje të kërkesave për vaksinim nga "mbarështuesit, pronarët e kafshëve shtëpiake që udhëtojnë shpesh dhe gjithashtu nga qytetarët, kafshët e të cilëve lëvizin lirshëm".

Një tjetër vaksinë po zhvillohet nga kompania veterinare farmaceutike Zoetis.

Covid-19 ka qenë një problem serioz për vizonët, gjitarët gjysëm ujorë, të njohur për prodhimin e leshit. Vende të shumta kanë raportuar infektime të vizonëve në fermat e tyre, të cilët në disa raste janë sëmurë rëndë ose edhe kanë ngordhur.

Përhapja më e madhe e Covid te vizonët ndodhi në Danimarkë, ku shkatërroi miliona kafshë dhe rrezikon të mbyllë plotësisht industrinë deri në vitin 2022.

Ekzistojnë gjithashtu disa prova që vizonët e kanë kaluar virusin përsëri tek njerëzit në një formë të mutuar.