"Nëse një njeri i thotë vetes burrë shteti dhe lider", parashikimi i Ibsen Elezit për fatin politik të Berishës
Bashkë me humbjen e zgjedhjeve, Partia Demokratike mori një tjetër goditje me shpalljen non grata të liderit të saj historik Sali Berisha nga DASH.
Ibsen Elezi, i cili nuk mund të vazhdojë garën për kryetar të PD-së për shkak se u skualifikua nga Kryesia e kësaj partie, thotë se kjo parti nuk duhet të mbetet në pritje se çfarë do të thotë doktori.
Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, ai thotë se arritjet e tij janë krenari për atë dhe gjithë anëtarësinë e PD, por ato çfarë ai ka bërë keq duhen korrigjuar.
Ibsen Elezi: Nuk mund të ecë gjithmonë një parti duke e kthyer kokën çfarë po thotë doktori. Doktori vetë është tërhequr. Lider historik ka qenë edhe Enver Hoxha por nuk mund të flasim për pjesët e këqia. Këtu flasim për çfarë Sali Berisha e ka bërë mirë gjatë gjithë karrierës së tij politike, duhet të ndihet krenar ai dhe gjithë anëtarët e PD. Për çfarë Sali Berisha e ka bërë keq ne duhet ta korrigjojmë. Nuk mund të pretendohet se çfarë ka bërë Sali Berisha nga fillimi i demokracisë, pa një kulturë demokratike, ti ketë bërë mirë. Shkeljet në PD, fryma jodemokratike ka ekzistuar gjithmonë, nuk është turp ta themi.
Elezi është i bindur se Berisha në vijim do të ketë një vendimmarrje, duke nënkuptuar dorëzimin e mandatit si deputet.
Ibsen Elezi: Sali Berisha e ka mbyllur vetë karrierën e tij politike dhe ka thënë: Unë e mbylla karrierën politike, do të jem këtu të jap kontribut jo të bëhem pengesë. Në një moment të tillë akuze Sali Berisha patjetër që do ta marrë këtë vendim, do të shohësh që në muajt në vazhdim Sali Berisha do ta marrë. Nëse një njeri i thotë vetes burrë shteti dhe një lider ai duhet të kuptojë se nuk mund të bëhet kurrë pengesë e subjektit të tij politik.
Por ndërsa vetë Berisha kur u pyet nëse do ta dorëzojë mandatin tha se do ta dyfishoj, Elezi e sheh si reagim emocional të momentit.
Ibsen Elezi: Ndoshta mund të ketë qenë dhe emocional, zoti Berisha njeri është, kushdo ka qëndrimin e vet emocional momental. Kur ulet dhe e pleqëron dhe e mbështet gjykimin e vet mbi parime kthehet dhe e korrigjon. Por të jeni i sigurt se Berisha ka për ti hapur rrugë zhvillimeve demokratike brenda PD.
I pyetur sesa e dobëson PD kjo "luftë" brenda llojit në PD përballë një mazhorance e cila po shijon fitoren e 25 prillit, Elezi ndan këtë këndvështrim.
Ibsen Elezi: Mazhorancën e frikëson ky zhvillim demokratik brenda. Nëse do japim shembullin e një procesi dhe debati demokratik brenda, është arma e vetme për largimin e Edi Ramës.Nuk ka armë tjetër.Opinioni publik po sheh nëse sillemi në mënyrë demokratike apo jo. Nëse sillemi ata krijojnë besim dhe e rrëzojnë Edi Ramën. Nëse jo, thonë njëlloj janë këta. Këtu e kemi momentin e ndarjes, momentin e shpresës këtu e kanë, jo vetëm anëtarët e PD por edhe opinioni. Nëse PD nuk arrin dot të ngjallë shpresën do të jemi në vazhdimësi të kësaj të keqeje për një periudhë të gjatë.


