Antony Blinken mbërrin në Lindjen e Mesme për të 'forcuar' armëpushimin Izrael-Gaza
Kryediplomati i Amerikës, Entoni Blinken, ka vizituar Izraelin dhe territorin palestinez që të bëjë të mundur bashkëjetesën në paqe mes popujve të përfshirë në konflikt javë më parë. Fokus do të jetë edhe rindërtimi i Gazës së shkatërruar prej bombardimeve të fundit.
Amerika ka nisur përpjekjet në terren për të garantuar një armëpushim afatgjatë mes Izraelit dhe Palestinës.
Sekretari i shtetit, Entoni Blinken, mbërriti të martën në Tel-Aviv katër ditë pas ndalimit të një fushate luftarake 11-ditore që la mbi 250 palestinezë dhe 12 izraelitë të vrarë.
Kryediplomati amerikan takoi të parin kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu.
"Presidenti Bajden më kërkoi të jem sot këtu për katër arsye. Të tregoj angazhimin e SHBA-së për sigurinë e Izraelit, të punoj për stabilitetin e gjerë, të nis urgjentisht rindërtimin humanitar të Gazës dhe të vazhdojmë të formësojmë marrëdhënien tonë me lidershipin palestinez."
Të tjera vizita janë planifikuar me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, më pas në Jordani e në Egjipt.
Blinkeni tha përpara nisjes se SHBA-ja përkrah idenë e një zgjidhjeje nga e cila përfitojnë barabar si izraelitët, edhe palestinezët.
"Presidenti Bajden ishte shumë i saktë kur tha se nuk ka për të pasur paqe deri sa Izraeli të njihet si shtet i pavarur hebre. Ky është thelbi."
Kryediplomati amerikan është zyrtari më i lartë që Uashingtoni ka dërguar në rajon.
Në fokus të vizitave është edhe programi i rindërtimit të qytetit të Gazës ku 70 mijë veta kanë mbetur pa shtëpi prej bombardimeve.
Gaza kontrollohet nga militantët e grupit Hamas të cilët ende kërcënojnë me luftë nëse do të provokoheshin sërish.
"Shkëndija që ndezi betejën e fundit, 'Shpata e Jerusalemit', erdhi prej britmave të popullit tonë, për nder dhe në mbrojtje të Jerusalemit dhe të Xhamisë Al-Aksa. Ato janë vijat tona të kuqe të cilat armiku nuk duhet t'i kalojë. Plumbi do matet me plumb, gjaku me gjak, dhe shkatërrim me rrënim," tha zëdhënësi i Brigadave Al-Kasam, krahu i armatosur i lëvizjes Hamas.


