Merr fund arratia, arrestohet shefi i "Ndraghetas" në Brazil

Pas dy viteve arratisje nga burgu dhe një arratie që zgjati 22 vjet më herët, autoritetet braziliane në bashkëpunim me policinë italiane dhe agjencitë amerikane kanë arrestuar Roko Morabiton, i njohur si mbreti i kokainës i Milanos.

Ishte arratisur nga burgu në vitin 2019, por policia braziliane ka mundur të kapë ish-bosin e 'Ndranghetas, Roko Morabito.

Mafiozi italian u ndalua të hënën, 24 maj  në verilindje të Brazilit falë bashkëveprim të policisë italiane, DEA-s, FBI-së dhe Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Bashkë me të u gjet edhe një tjetër person, Vinçenco Paskuino, i shumëkërkuar për trafikun ndërkombëtar të drogës me prejardhje nga Amerika Jugore.

54-vjeçari Morabito jetoi në arrati për 22 vite deri në 2017-n kur u gjurmua në Uruguaj dhe u arrestua, por arriti të arratisej përsëri.

Italia pret që ta ekstradojë dhe t'i caktojë dënimin me 30 vite heqje lirie për veprimtari mafioze dhe trafik ndërkombëtar të narkotikëve.

54-vjeçari njihet si mbreti i kokainës i Milanos.

Me këtë nofkë, në vitin 1992, mes shumë krimeve të tjera, ai akuzohet për transport droge në Itali dhe shitjen e saj në Milano, si edhe për tentativën e importimit të 592 kg kokainë nga Brazili dhe 630 kg kokainë një vit më pas.

Morabito ishte i treti më i kërkuari në listën italiane dhe nga 10 më të rrezikshmit në botë.

Grupi 'Ndrangheta ku ai bënte pjesë e ka bazën në rajonin jugor të Kalabrisë dhe e ka kaluar tashmë bandën rivale Cosa Nostra si grupi më i fuqishëm mafioz në Itali.