"Silicon Valley“ australian, miliarderi nis projektin dhjetra miliardësh për qytetin privat
Australia kërkon që të kthehet në një vend lider të zhvillimit teknologjik në Azi-Paqësor. Miliarderi australian Maha ka filluar punën për projektin e një qyteti eksperimental teknologjik, ngjashëm me "Silicon Valleyn" amerikan.
Australianët po bëhen gati për projektin e tyre që të kenë edhe ata "Silicon Valleyn" e tyre, për të kapur trendin e zhvillimeve teknologjike moderne.
Greater Springfield është qyteti i parë “privat“ në Australi, i zotëruar nga miliarderi Maha Sinnathamby.
Vizioni që ai ka filluar të ndërtojë është që pas disa vitesh Australia të ketë "Silicon Valleyn" e saj.
Projekti kushton miliarda dollarë, por sipas projektuesit është i nevojshëm për vendin krijimi i një qendre moderne biznesi dhe teknologjike.
Miliarderi që ka ndërtuar kudo përqark Australisë, po kërkon kompani të tjera mëdha për ta ndihmuar atë të realizojë fazën tjetër të vizionit të tij, që kap një shifër rreth 68 miliardë dollarë.

"Po përpiqemi që të tërheqm Microsoftin dhe Googlein, por edhe shumë kompani teknologjike të tjera“ tha ai në një intervistë për mediet amerikane.
Për analistët australianë kjo do të jetë një qendër e re dhe e rëndësishme për inovacionin për Azi-Paqësorin.
I zhvilluar në një hapësirë prej 7,000 hektarësh, qyteti ofron të gjitha kushtet që kompanitë teknologjike të zhvillojnë projektet e tyre.
Më herët ka qenë një kompani franceze që ka nënshkruar projektin për ta bërë Greater Springfieldin në Australi qytetin e parë që nuk emeton asnjë ndotje në natyrë.
Sipas analistëve australianë e ardhmja i përket teknologjisë, dhe investime të këtilla janë të rëndësishme për vendin dhe qytetarët australianë.

