BE pajtohet për rihapjen e kufijve për personat e vaksinuar

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian do të hapin kufijtë për udhëtarët e vendeve joanëtare, nëse janë të vaksinuar kundër Covid-19.

27 përfaqësuesit në Këshillin Europian pranuan të mërkurën që të lehtësojnë politikat kufitare.

Të vaksinuarit duhet të paraqitin një certifikatë që provon se kanë kryer dozat e vaksinave të njohura nga Agjencia Europiane e Barnave.

Vaksinat ruse dhe kineze janë ende në shqyrtim por shtetet mund të vendosin vetë për vaksinat e paaprovuara, siç po vepron aktualisht Greqia.

"Kjo do të ndihmojë udhëtimet ndërkombëtare por në të njëjtën kohë siguron mospërhapjen e varianteve të reja të virusit," tha Christian Wigand, zëdhënësi i komisionit evropian.

Bashkimi Europian i mbylli kufijtë me jashtë marsin e kaluar, duke lejuar vetëm udhëtimet nga shtetet me rrezik më të ulët epidemiologjik.

Kriteri i situatës epidemiologjike është akoma në fuqi dhe duhet që një vend të mos ketë raportuar më shumë se 25 deri 75 raste për 100 mijë banorë për 14 ditë.

Nga lëvizja e pakufizuar brenda BE-së po përfitojnë vetëm 7 vende në botë dhe rajoni i Ballkanit nuk është mes tyre.