Kultivoi kanabis në Fier dhe e ruante me kallashnikov, banorët: Kemi frikë mos na vrasin, nuk janë të zonës
Një 29 vjecar mbeti i plagosur nga Policia duke mbrojtur me armë një serë ku kishte nisur të kultivonte kanabis sativa.
Përroi i Murtajës quhet zona ku shtetasi Greseld Shpataraku ishte duke ruajtur fidanët e kanabisit të mbjellë në kubik. Gjatë një operacioni të bërë nga policia e Fierit për kontrollin e gjithë territorit është pikasur 29-vjeçari në parcelën e mbjellë me kanabis, ndërsa kishte në dorë edhe një armë kallashnikov.
Shtetasit 29- vjeçar i është bërë thirrje nga policia e Fierit që të mos lëvizë dhe të lëshojë armën, por ky i fundit nuk i është bindur urdhrit të policisë, madje e ka drejtuar armën e tij tip kallashnikov drejt forcave blu.
Shërbimet e policisë për të neutralizuar 29-vjeçarin janë detyruar që të qëllojnë duke e plagosur atë, ndërsa 29- vjeçari ndodhet tani në spitalin e Fierit jashtë rrezikut për jetën.
Në zonë kanë zbarkuar forca të Shumta të Policisë lokale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë që ushtruan kontrolle në zonë kërkim të parcelave të tjera të kanabisit dhe me synim arestimin e personave të tjerë të përfshirë në kultivimin e drogës.
Kjo tentativë e kultivimit të kanabisit nuk është e para në fshatin Gjorgoz, siç pranojnë banorët e zonës të cilët nuk e fshehin as frikën pasi shtëpitë i kanë larg njëra tjetrës ndërsa kultivuesit sipas tyre nuk janë banorë të zonës.
"Me frikë rrimë se vjen të vret ai," thotë banori.
"Këtu nga ana e anës," thotë banorja.
29 vjeçari Greseld Shpataraku ndërkohë ndodhet në Spitalin e Fierit ku ruhet nga forcat e policisë.
Pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore ai pritet të merret në pyetje për tentativën e kultivimit të kanabisit, ndërsa efektivët e policisë që e plagosën ndërkohë po hetohen nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.
